Çmimet e naftës rriten sërish, arrijnë në 245 lekë për litër

schedule20:26 - 25 Mars, 2022

schedule 20:26 - 25 Mars, 2022

Rritet sërish çmimi i naftës në vend. Nga nesër një litër naftë pritet të shitet me 245 lekë. Burime për ABC bëjnë me dije se Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja që do të jenë në fuqi deri të martën e ardhshme në mbledhjen e radhës.

Mësohet se çmimi i benzinës nuk ka ndryshuar, do të vijojë të shitet me 218 lekë për litër. Po kështu edhe cmimi i gazit mbetet në 93 lekë.  Në bursën e Londrës nafta brent ka rënë sot me 2.03% duke shkuar në 116.7 dollarë për fuci.

Operatorët e tregut thonë se ka pasur një ndryshim në formulën se si Bordi e llogarit çmimin e karburanteve, duke u njohur atyre më shumë shpenzime fikse. Rritja e çmimit të naftës duket se do të rikthejë sërish protestat në vend. Aktivistët njoftojnë përmes rrjeteve sociale se ditën e mërkurë në orën 17:00 do të rikthehen në protesta para kryeministrisë.

Në vend, nafta arriti deri në 260 lekë për litër në fillim të marsit, pasi u ngjit në 130 dollarë në bursat ndërkombëtare. Pas kësaj rritjeje, Qeveria krijoi Bordin e Transparencës, i ngritur me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!