Nga Leonidha Musaj
Tregtarët e fruta-perimeve në Durrës ankohen për mungesën e fuqisë blerëse. Shkak është largimi i pushuesve, por dhe rritja e çmimeve. Për pasojë thonë se po dalin me humbje, pasi produktet nuk rezistojnë gjatë. Në shumë raste i tregtojnë nën kosto, i falin ose i hedhin.
“Shumë dobët është Zoti e bëftë mirë, njerëzit s’kanë lekë. Ka rënë pak tani, deri para ca kohësh ishte mirë prej pushuesve.”
“Çmimet janë rritur, njerëz s’ka se ka ngelu vetëm mosha jonë këtu. Kemi mall plot, ka stok shumë.”
“Këtë vit çmimet kanë qenë të kripura, sidomos, spinaqi, qepa janë të shtrenjta krahasuar me buxhetin e njerëzve. Është shtrenjtë në proporcion me rrogat apo pensionet që marrin. Na ngelet malli stok, ca e shesim, ca e hedhim dhe ca e falim.”
Edhe konsumatorët pohojnë se këtë vit po blejnë më pak, pasi çmimet janë rritur. Kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve.
“Të gjitha shtrenjtë janë, të gjitha krahasuar me vitet e tjera.”
“Kosi nga 400 u bë 700 lekë, ç’të bëj unë si pensionist. Duhet të ketë kontrolle nga shteti, vërtet është ekonomi tregu, por shteti duhet të verë dorë. Këto taksa që paguajmë ku shkojnë, ku shkojnë?”