Në një konferencë për mediat ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka shpjeguar se ndryshim të taksimit mbi karburantet nuk do të ketë. Ministrja theksoi se në momente krizash është politikë e gabuar që të ndryshohet taksimi.
“Nuk ka pasur asnjë deklaratë për reduktim të taksave të karburanteve, vijojmë t’i qëndrojmë qëndrimit tonë. Në momente krizash, politika e gabuar ndryshimi i taksimit. Rishikimi i aktit normativ, për peshkimin, fermerët, nuk ka pasur asnjë deklaratë për ndryshim të taksimit. Kemi hedhur për konsultim publik projektligjin për amnisti fiskale. Të konsultohemi sa më mirë.”
Kujtojmë që pas nisjes së krizës dhe rritjes së ndjeshme të çmimeve, kanë qenë të shumta kërkesat për heqjen e takës së karburanteve.
Sipas statistikave deri në fund të vitit 2021 në vendin tonë qarkullonin 711 mijë automjete, nga të cilat rreth 80% përbëhen nga autoveturat dhe 20 për qind kamionçin, kamionë, autobusë, motora e traktorë. Gjysma e këtyre mjeteve qarkullojnë vetëm në dy qarqe: Tiranë e Durrës. Nga totali i automjeteve sipas statistikave zyrtare 73% e tyre punojnë me naftë.
Në Shqipëri konsumohen rreth 500 mijë tonë karburante në vit. Ky treg qarkullon në një vit 100 miliard lekë (rreth 6% e PBB). Për të pasur një kuptim më të qartë për barrën fiskale mbi karburantet, në vijim po sjellim mënyrat e taksimit të karburanteve në Shqipëri dhe Maqedoni.
RASTI I SHQIPERISË
Në SHQIPËRI nafta taksohet si vijon:
Akciza, 37 lekë për litër;
Taksa qarkullimit, 27 lekë për litër;
Taksa karbonit, 3 lekë për liter
Tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, nga 1 lekë për litër secila.
TVSH totale arrin në 28 lekë për litër.
Tarifa e rilicencimit të pikave të tregtimit të karburanteve, prej 3-5 lekë për liter
Tarifa e indeksimit të akcisës nga inflacioni (Nuk është llogaritur ende)
Në MAQEDONI:
Çmimi i blerjes në port llogaritet i ngjashëm për të dy vendet,
Në Maqedoni, çmimi përfshin edhe koston e transportit
Aktualisht çmimi I tregut në Maqedoni për Naftë për motorë EURODIZEL BS (D-E V) – 65,50 (denarë/litër) =1,05 euro=129.04 lekë për liter.
(Vendosur nga Komisioni Rregullator i Energjetikës dhe i Shërbimeve të Ujit (KRRE)
Në MAQEDONI, taksat direkte mbi naftën janë
Akciza, me rreth 28 lek për litër (0.2 cent për litër)
TVSH, në rreth 20 lekë për litër (norma e TVSH-së në Maqedoni është 18%, ndërsa zbatohet mbi një çmim 32% më të ulët se në Shqipëri).
Ndryshe nga Shqipëria, Maqedonia nuk e ka taksën e qarkullimit të përfshirë në çmimin e naftës, por e merr direkt tek automjetet. /abcnews.al/