Çmimet e kafesë kanë arritur nivelin më të lartë të 47 viteve. Shtrenjtimi i kafesë është rritur kryesisht për shkak të efekteve të motit ekstrem dhe thatësirës intensive në vendet kryesore prodhuese të kafesë, si Brazili dhe Vietnami, Etiopia apo Kolumbia.
Brazili po përballej me thatësirën më të keqe në dekada përpara se të fillonin shirat e rrëmbyeshëm që kanë vonuar procesin e korrjes së kokrrave të kafesë. Kjo shtoi shqetësimet në treg duke bërë që çmimet standarde të pësonin një rritje.
Kafeja Arabica së fundmi ka arritur në 3,35 dollarë për ons, e barasvlershme me 453 gramë, një çmim ky 70% më i lartë që nga fillimi i vitit dhe nivelet të paarritura që nga viti 1977. Ndërkohë, për llojin tjetër të kafesë Robusta çmimi pësoi një rritje me 60% këtë vit.
Kafeja është një nga produktet më të tregtuara në botë dhe kërkesa ka qenë në rritje nxitur kryesisht nga kërkesa e lartë për konsum në Kinë.
Por, veç ndryshimeve klimatike, një faktor tjetër që ka shtuar pasiguritë dhe ka nxitur rritjen e çmimeve janë edhe sulmet Houthi në Detin e Kuq duke ndikuar në dërgesat e produktit.
Departamenti Amerikan i Bujqësisë ka ulur së fundmi parashikimin e prodhimit të kafesë në Brazil, nga 66.9 milionë qese në 66.4 milionë qese, ndikuar pikërisht nga kushtet e pafavorshme të motit. Ndërkohë, konsumatorët mund të fillojnë të ndjejnë tashmë ndikimin e rritjes së çmimit të tregut.