Gazeta lokale amerikane “Capital Gazette” ka fituar çmimin Pulitzer për mbulimin mediatik të ngjarjes që ndodhi në redaksinë e lajmeve të saj. Një çmim, për të cilin stafi aktual që punon aty nuk e festoi aspak dhe kjo ka një arsye shumë të rëndësishme.
Në Qershor të 2018-s, një person i armatosur mësyu brenda redaksisë dhe vrau pesë prej kolegëve të tyre. “Capital Gazette” fitoi çmimin për kurajën dhe mbulimin që i bëri një prej sulmeve më vdekjeprurëse të gazetarëve në historinë e Amerikës.
John McNamara, Eendi Einters, Rebecca Smith, Gerald Fischman dhe Rob Hiassen vdiqën në atë ngjarje. Por gjithsesi, stafi arriti të publikonte gazetën në orar për ditën tjetër.
Të gjithë të pranishmit nuk festuan aspak çmimin, por thjesht u përqafuan në kujtim të pesë kolegëve të tyre. Gjithashtu çmim Pulitzer fituan dhe “New York Times” dhe “Wall Street Journal” për investigimet ndaj presidentit Trump.
Dy gazetarë të tjerë, të burgosur në Myanmar sepse raportuan masakrën nga myslimanëve Rohingya, fituan çmim. Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo ishin pjesë e “Reuters”, dhe u dënuan vitin e kaluar me nga 7 vite burg. “Reuters” është shprehur se nuk do ta festojë çmimin derisa dy gazetarët të lirohen.
Çmim për sa i përket mbulimit mediatik ndaj sulmeve me armë fituan edhe dy gazeta të tjera lokale në Amerikë. “Pittsburgh Post-Gazette” fitoi çmim për raportimin e sulmit në një sinagogë në Pennsylvania ku mbetën të vrarë 11 persona.
Ndërsa “South Florida Sun Sentinel” fitoi çmim për raportimin në Shkurt 2018 ndaj sulmit me armë që u krye në një gjimnaz dhe ku vdiqën 17 persona./abcnews.al