“Çmenduritë” e Elon Musk, dërgon makinën në hapësirë

schedule18:41 - 7 Shkurt, 2018

schedule 18:41 - 7 Shkurt, 2018

Udhëtimi i njerëzve në hapësirë dhe ndalesa në planetet e tjera duket se po i afrohet gjithnjë e më shumë realitetit. Eksperimenti i inxhinierit Elon Musk, që dërgoi në hapësirë makinën e tij elektrike “Tesla Roadster”, tregon se asgjë nuk është e pamundur.

Një makinë fluturon në hapësirë. Në timon ndodhet një person i veshur me kostum hapësinor dhe i lidhur me rripin e sigurisë. Bota duket poshtë tij. Janë pamje befasuese, të pabesueshme, që dikush mund të mendojë se janë produkt i Photoshop-it. Por nuk është kështu, janë reale. Ato janë realizuar për të plotësuar “kapriçot” e Elon Musk, i njohur për shijet e tij që arrijnë në kufijtë e absurdes.

Por në rastin e tij, marrëzia dhe gjenialiteti bëhen njësh dhe tregojnë se viti 2018 mund të ofrojë shumë risi. Por si arriti ai të çojë në hapësirë një makinë elektrike, të drejtuar nga një astronaut, që mbante dhe një mesazh për alienët: “E prodhuar në Tokë, nga njerëzit”!

Edhe vetë Musk, me profesionin inxhinier, mbeti i habitur nga fakti që plani i tij i guximshëm funksionoi.

“Po shoh një makinë në orbitën përreth Tokës”, shkroi ai në profilin e tij në Tëitter. Mjeti me vlerë 100 mijë dollarë, i llojit “Tesla Roadster”, u ngjit në hapësirë përmes raketës më të fuqishme në botë, “Falcon Heavy”, e menaxhuar nga kompania e Musk, “SpaceX”.

Kjo arritje hap rrugën për të afruar njerëzit me planetin Mars, por për të pasur rezultate konkrete është ende herët. Kjo, pasi ka një shans të vogël që makina të përplaset me planetin. Ndërsa nëse qëndron në kursin e saj, gjasat janë që ajo të endet në hapësirë për miliona vjet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!