Çmenduri për Kristiano Ronaldon në Frozinone, për ndeshjen e Serisë A

schedule08:40 - 24 Shtator, 2018

schedule 08:40 - 24 Shtator, 2018

Çmenduri për Kristiano Ronaldon në ndeshjen e radhës në Serinë A. Çmimi i biletave thyen rekorde për shkak se Juventusi ka në radhët e tij yllin portugez.

Pritja ishte madhështore, a thua se po zbriste në qytet Profeti vetë. Kristiano Ronaldo bardhezi bëri që mbërritja e Juventusit në Frozinone të ishte e jashtëzakonshme, me qindra tifozë pranë hotelit ku u vendosën kampionët. Futbolli është bërë biznes, sidomos, nga kjo lloj reklame, nga këta të mbiquajtur kampionë, të cilëve të rinjtë duan që t’u ngjajnë, ndonëse kur kalojnë vitet, dhe provohet jeta e vërtetë, kuptohet se është vetëm një iluzion.

Çmenduria, kryesisht e adoleshentëve, nuk mbaroi me turravrapin për ta parë nga afër CR7-ën, por vazhdoi me çmimet e biletave.
Tribuna që quhet e autoriteteve arriti deri në 300 euro një biletë, ndërsa rekordi sipas mediave italiane ishte 680 euro.
Në tërësi, shpenzim i madh për të parë Juventusin në Frozinone, kosto që rritet vite me radhë në qytetin lacial pranë Romës.
Kontrasti në një ndeshje të tillë nuk mund të ishte më i madh.

Ronaldo është lojtari më i madh i skuadrës më të fortë të Italisë, ndërsa Frozinone sipas parashikimeve është ekipi më i dobët i Serisë A, kandidati numër 1 për të zbritur në Serinë B. Portugezi fiton dyfishin e parave që marrin gjithë futbollistët e Frozinones, ndërsa në rrjetet sociale ka 2 400 herë më shumë pëlqime sesa ata të marrë së bashku. Gjithsesi, publiku vendas shpreson që skuadra e tyre e zemrës t’ia dalë ashtu siç bëri dy vjet më parë, madje brenda në Torino, duke I marrë barazimin Juventusit të madh./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!