Çmenduri në Beograd pas fitores se Crvena Zvezdes ndaj Liverpulit

schedule18:08 - 7 Nëntor, 2018

schedule 18:08 - 7 Nëntor, 2018

Ishte historike fitorja e Crvena Zvezdës së Beogradit ndaj Liverpulit në Champions. Pas gati 30 vjetësh, skuadra serbe realizoi diçka të madhe në Europë.

Prej gati 30 vjetësh pritej ky moment.

Entuziazmi ishte zot në stadiumin “Rajko Mitiç” të Beogradit, në përfundim të duelit ndaj Liverpulit në Champions.

Pas 27 vitesh thuajse në errësirë të plotë, Crvena Zvezda riktheu të paktën për një ndeshje, lavdinë e dikurshme në arenën e njohur botërisht me emrin “Marakana”.

Triumf 2-0 ndaj nënkampiones së Europës, falë golave të të njëjtit autor, Milan Pavkovit, ndërsa skenat e gëzimit ishin pafund.

Nuk ishte e paktë për një ekip të mundur 0-4 në “Anfild” dhe 1-6” në fushën e Paris SG, dhe për një klub që pret paratë e fituara nga Europa, për t’u matur me një gjigand si Liverpuli, me vlerë gati 2 miliardë dollarë amerikanë, dhe me buxhet prej 462 milionë eurosh.

“Për këtë luhet futboll, për këtë jetohet, – u shpreh trajneri i Zvezdës, Vladan Milojeviç, pas takimit, – kjo është toka jonë, qyteti ynë. Luajtëm një ndeshje të madhe, duke vënë zemrën në fushë, dhe e merituam. Gjithsesi, jam i bindur se Liverpuli do të luftojë për të fituar Championsin”.

Trajneri I anglezëve, Jurgen Klop, u pyet se cilat ishin arsyet që Liverpuli humbi.

“Unë kam vetëm 10 gishta, – ishte përgjigja e gjermanit, – nuk mjaftojnë për të treguar se çfarë nuk shkoi për ne. Ishte e njëjta mënyrë loje si në ndeshjen e parë, por këtë herë ne nuk ishim agresivë sa duhet. Kundërshtari e meritoi për pasionin e madh që tregoi”.

Jehona mediatike ishte po ashtu e merituar.

“B92”: U rrëzua Liverpuli! Zvezda shuajti nënkampionen e Europës! Ndodhi, ajo që u mendua se nuk mund të ndodhte!

“Kurir”: Shpërthen Marakana, u rrëzua Liverpuli. Dy bomba të Pavkovit për nënkampionët e Europës!

“Kurir” shkruan edhe për tifozin që fitoi një skedinë të madhe në Vjenë të Austrisë.

“Besoi në mrekullinë e Zvezdës dhe u bë milioner”, ishte titulli, ndërsa tifozi i panjohur luajti 800 euro për fitoren 2-0 të Zvezdës dhe fitoi mbi 12 000 euro, pra 1.5 milionë dinarë, ndaj edhe gazeta serbe e quan milioner.

“Sportski Zhurnal” bën ironi me akuzat për trukim të ndeshjes ndaj Paris SG: “Më falni, shkruan në frengjisht, a mos ishte edhe kjo e trukuar?!

Ata që janë të rinj nuk mund ta dinë se Crvena Zvezda ishte një skuadër e madhe në kohën  e Jugosllavisë.

Në 1973, ajo e eleminoi Liverpulin nga Kupa e atëhershme e kampionëve, duke e mundur dy herë 2-1, dhe anglezët pranuan se që pas asaj humbjeje ndryshuan mentalitetin sesi duhej luajtur futbolli në kontinent.

Kulmi u arrit në 1991, kur brezi i Saviçeviçit, Prosineçkit, Shabanaxhoviçit apo Pançevit fitoi Kupën e Kampionëve në finalen ndaj Marsejës.

Krahasimi nuk mund të bëhet, ndonëse tifozët kanë gjithnjë shpresë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!