Një ndër lajmet që “tronditi” showbiz-in botëror javën e kaluar ishin fotot e Justin Timberlake me kolegen e tij, Alisha Wainwright. Aktorët protagonistë të filmit “Palmer” u panë shumë të afërt me njëri-tjetrin, të kapur përdore, ndërsa Justin nuk mbante as unazën e martesës në gisht.
Në një postim në rrjetet sociale, ku Justin i kërkoi publikisht falje familjes dhe bashkëshortes, ai pranoi se ishte i dehur.
“Unë mundohem të qëndroj sa më larg thashethemeve, por për hir të familjes time e ndjej të nevojshme të flas rreth disa lajmeve që kanë lënduar njerëzit e mi të dashur. Pak javë më parë u gjykova shumë, por më lejoni të jem i qartë… Asgjë nuk ndodhi mes meje dhe koleges sime. E teprova me pijen atë natë dhe jam penduar për sjelljen time. Ky nuk është shembulli që dua t’i jap tim biri. I kërkoj falje familjes dhe bashkëshortes sime të mrekullueshme që i kam vendosur në një situatë kaq të sikletshme. Jam fokusuar në të qenit babai dhe bashkëshorti më i mirë. Jam krenar që jam pjesë e ‘Palmer’ (filmi ku ai luan me Alisha Wainwright), jam i lumtur të vazhdoj të punoj aty dhe mezi pres që njerëzit ta shohin”, -ka shkruar ai.
Por, çfarë mendon bashkëshortja e tij, Jessica Biel për gjithë këtë?
Sipas një burimi për People çifti janë duke u përpjekur për ta kaluar këtë gjë së bashku dhe Jessica beson tek ai.
“Ai është simpatik dhe miqësor, por kësaj radhe e teproi me pijen. Megjithatë, Jessica mendon se ai nuk e ka tradhtuar. Ajo do të vazhdojë të qëndrojë përkrah tij”, – është shprehur burimi për People./abcnews.al