8 ekipe shqiptare në fushë, dy ndeshje derbi: Conference League sot do të “ngulë” sportdashësit para TV-së, ose do i dërgoje në stadium për të mbështetur ekipet e tyre të zemrës.
Gjithçka nis prej orës 17:00, me Strugën që do kërkojë të bëjë historinë në pjesëmarrjen e parë europiane. Pas barazimit në Letoni, ekipi shqiptar në Maqedoninë e Veriut me një fitore shkon në turin e dytë.
Dy orë më pas në fushë zbret Partizani, ndaj Sfintul Gheorge, me avantazhin e tre golave dhe misioni për t’u kualifikuar është detyrim. Në 20:00 ka një derbi mes Llapi e Shkupit, me djemtë nga Maqedonia e Veriut të favorizuar.
Në “Elbasan Arena” Laçi duhet të përmbysë Podgoricën, që në Mal të Zi fitoi. Kurbinasit i kanë shanset ta kalojnë sërish turin, sikurse bënë edhe sezonin e shkuar në Europa League.
Sërish derbi, këtë herë në Mal të Zi mes Decic dhe Dritës. Dardanët do kërkojnë të mbrojnë fitoren e marrë në ndeshjen e parë dhe më pas të mendojnë për duelin me holandezët e Feyenoord.
Mbrëmja mbyllet me duelin Vllaznia-Siroki Brijeg. Shkodranët, me rreth 5 mijë tifozë në “Loro Boriçi”, do kërkojnë përmbysjen e madhe. Karikimi është maksimal, pas padrejtësive në duelin e parë në Bosnje Hercegovinë, por në kampin kuqeblu e dinë se duhet të jenë të kujdesshëm. / abcnews.al