Manchester City, pasi mori lajmin e mirë nga CAS dhe tani i lejohet të marrë pjesë në kupat e Europës, po tenton të përforcohet. Sigurisht që bëhet fjalë për afrime që do t’u kushtojnë shumë qytetarëve. Objektivi kryesor për sulmin është Lautaro Martinez dhe City në aspektin financiar nuk ka vuajtjes e Barcelonës.
Argjentinasi shikohet si pasardhësi i Sergio Aguero dhe Sky Sport raporton se anglezët janë gati të duelojnë me katalanasit për shërbimet e sulmuesit, madje edhe ta paguajnë klauzolën prej 111 milion eurosh. City gjithashtu mendon edhe për mbrojtjen dhe sërish sytë janë nga Italia.
Kalidou Koulibaly është një emër që bind dhe që sigurisht kushton. Është folur shpesh për shifra që i kalojnë 100 milion eurot, por tani Napoli kënaqet edhe me 70 milion euro. Italianëve u duhen para, pasi po mbyllin marrëveshjen me Victor Osimhen. Bilancet duhen rregulluar dhe për senegalezin, tashmë 29 vjeç, nuk mund të ketë pafund oferta të larta. /abcnews.al