City e Tottenham fitojnë me “poker”, West Ham e Nottingham shkëlqejnë në transfertë

schedule17:56 - 24 Gusht, 2024

schedule 17:56 - 24 Gusht, 2024

Ishin padyshim përballje spektakolare.

Elita e futbollit anglez, Premier League ka çelur këtë të shtunë siparin e javës së dytë të këtij sezoni, me “Qytetarët” e Manchester City dhe londinezët e Tottenham, që kanë zhvilluar perfomanca fantastike, duke arritur fitore me shifra të thella.

Kështu, djemtë e teknikut Pep Guardiola mundën me rezultatin e thellë, 4-1 skuadrën e Ipsëich Toën, me këta të fundit, që kaluan të parët avantazh duke shtangur të pranishmit në “Etihad”, që në minutën e 7’-të, mirëpo avantazhi nuk zgjati shumë.

Erling Haaland barazoi gjithçka në minutën e 12’-të dhe vetëm 2 minuta më vonë “fantazisti”, Kevin De Bruyne gjen rrjetën nga pika e bardhë e 11-metërshit, duke përmbysur gjithçka, ndërsa rezultatin e përgjithshëm e vendosi “bomberi” norvegjez, i cili realizoi edhe dy herë të tjera në minutat 16’ e 88’ për të siguruar fitoren me “poker”.

Plot katër gola shënuan edhe djemtë e Ange Postecoglou, me londinezët e Tottenham, që mundën me rezultatin 4-0, “Blutë” e Everton, në një përballje që foli tërësisht për ta. Nga dy gola në secilën pjesë mjaftuan për fitoren e Spurs, ku në pjesën e parë shënuan Bissouma e Heung-Min Son, ndërsa në të dytën Christian Romero e sërish koreano-jugori, duke siguruar dopietën personale.

Ndërkaq, në sfida të tjera, “Çekanët” e West Ham shkëlquen në transfertën e Crystal Palace, duke i mundur me rezultatin e pastër 2-0. Fitore jashtë fushe arriti edhe Nottingham Forest, të cilët mundën “Shenjtorët” e Southampton falë një goli, ndërsa Fulham arriti një fitore të ngushtë në “shtëpi”, 2-1, përballë “Dhelprave” të Leicester. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!