Sulmuesi i Partizanit, Eraldo Çinari, shënoi golin e tretë në fitoren 3-1 kundër Skënderbeut. Në fjalën e tij pas ndeshjes për Supersport, anësori shkodran tha:
“Ekipi dita-ditës po rritet dhe po dalim edhe te rezultatet, jo më kot jemi në vend të parë sot. Loja po rritet dhe po vijnë edhe rezultatet. Po stërvitem dita-ditës maksimalisht dhe shpresoj që me rendimentin që kam treguar, besoj se jam mirë. Të gjithë si ekip jemi mirë, pasi një individ nuk mund t’i bëjë të gjitha vetëm. Shpresoj të shënoj edhe gola të tjerë dhe të ndihmoj ekipin.
Të them të drejtën, ka pasur ekipe që besoj se për momentin janë shumë të forta, si Kukësi, Korça, Ballshi po tregon rritje dhe janë jashtë pritshmërive të tyre. Edhe Vllaznia po bën shumë mirë. Edhe Tirana ka treguar nivel të mirë, por unë shoh Kukësin dhe Korçën si rivalë.
Është e vërtetë, siç e thashë dhe më përpara, që po punoj shumë. Synimi është të kap një ekip jashtë, të shënoj shumë gola dhe të ndihmoj sa më shumë skuadrën. Sa i takon rivalitetit me Kukësin, besoj se do të jetë një luftë e hapur deri në fund në kampionat”, përfundoi Çinari./abcnews.al