Një delegacion i një shteti, që sipas kreut të AKR’së, Behxhet Pacollit, do ta njohë Kosovën, pritet të vijë sot në Kosovë, raporton Express.
Së paku kështu ka deklaruar mbrëmë Pacolli në “Pressing” të T7, pa e treguar emrin e shtetit për të cilin bëhet fjalë.
Pacolli tregoi vetëm se shteti që do ta njohë Kosovën vjen nga kontinenti i Afrikës.
“Delegacion i atij shteti do të jenë përfaqësues nga ministria e Jashtme. Është shtet i Afrikës vetëm 54 shtete janë aty. Zëvendësministri sigurisht nuk e di fare se kush është duke ardhur dhe unë jam pak i çuditur. Por e di që Presidentja e ka marrë mesazhin tim dhe delegacioni vjen nesër. Presidenti i këtij vendi e pret presidenten tonë në atë vend që në janar menjëherë ta vizitojnë atë”, deklaroi Pacolli.
Kreu i AKR’së tha se për këtë “njohje” i ka shkruar edhe kryeministrit Kurti, por që thotë se nuk i ka kthyer përgjigje.
“Ju e dini cili shtet është ky por ju e dini. Dua ta ruaj këtë diskrecion deri nesër. Këto mesazhe në moment unë i kam transmetuar tek kryeministri i Kosovës me disa fjalë shumë gjentile duke i thënë zotëri kryeministër kjo është letra që e kam marrë nga presidenti i këtij vendi dhe ju lutem t’i trajtoni. Insistojnë të vizitojnë shtetin tonë dhe ju të shkoni në atë vend.
Unë nuk kam marrë asnjë feedback nga kryeministri por kam marrë presion nga ky shteti që duhet të kryhen këto vizita para festive dhe ata janë nisur rrugës. Unë ndihem i zhgënjyer që kryeministri nuk më thotë faleminderit zotëri kreu i ARK-së, ish-ministër apo kushdo që jam. Por unë i shkruaj presidentes dhe ajo më thotë po unë jam në kontakt me këtë shtet dhe po punojmë me të”, tha Pacolli./Gazeta Express