Cilat janë akuzat që rëndojnë mbi të tmerrshmin e Beratit?

schedule12:49 - 30 Korrik, 2019

schedule 12:49 - 30 Korrik, 2019

Lulzim Caka u lirua 4 muaj përpara se ti përfundonte dënimi nga burgu i Lushnjes.

Për këtë shkak u arrestua edhe drejtori i burgut të Lushnjes së bashku me kartelistin.

Sot Policia e Shtetit është përsëri në kërkim të Lulzim Cakës, i cilësuar ndryshe si i tmerrshmi i Beratit.

Ajo ka nisur sërish kërkimin e Cakës në mënyrë që ai të përfundojë pjesën e mbetur të dënimit, ku sipas deklaratës së sotme nga Ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj, rezulton se nuk iu llogarit siç duhet nga burgu i Lushnjes.

Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është njoftuar menjëherë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Policia e Shtetit për revokimin e lirimit të të dënuarit Lulzim Caka dhe shpalljen e tij në kërkim për t’a rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit”, deklaroi sot ministrja Gjonaj.

Lulzim Caka, i njohur si “i tmerrshmi i Beratit”, është pa dyshim një nga njerëzit më të lakuar të periudhës më të vështirë në historinë Shqiptare, atë të vitit 1997, atëherë kur bandat kriminale dolën në skenë dhe sfiduan hapur drejtësinë.

Por cilat janë akuzat që rëndojnë mbi të tmerrshmin e Beratit?

Në Vitin 1991 ai akuzohet për vrasjen e një invalidi që ndante pensionet në shtëpinë e tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kutalli të Beratit.

Në 1995- Me ndihmën e disa bashkëfshatarëve të natën qëllon me armë një skuadër policie në përbërjen e së cilës ishin shefat antikrim të policisë së Beratit, Fierit dhe Lushnjes, të cilët kishin shkuar për të arrestuar Cakën. Ndërsa policët detyrohen të largohen, Caka u vë flakën automjetit të tyre.

Viti 1997, e gjen përkrah të Loshit (Bujar Sula) të Karbunarës së Lushnjes. Si krahu i djathtë i Loshit ai merr pjesë në të gjitha veprimet e bandës së tij si, disa vrasje, grabitje, por edhe vjedhjen e votave në dy zona votimi gjatë zgjedhjeve të qershorit 1997.

Qershor 1997, ekzekuton tre pjesëtarë të familjes Yzeiri, të cilët në atë kohë ishin në hasmëri me miq të Cakës.

Gusht 1997, vret në Lushnje, pas një grindje banale të riun nga Fieri Pëllumb Emini.

6 janar 2001, arratiset nga qelitë e paraburgimit të komisariatit të Lushnjes, ku ishte transferuar pas rrahjes që i bëri shokut të tij të qelisë në Fier, në kushtet e një depresioni që i solli vrasja e të ëmës.

Shkurt 2001, akuzohet për vrasjen e dy të rinjve në fshatin e tij të lindjes Samaticë, në shenjë hakmarrje për vëllanë e vet.

Në Maj 2001, akuzohet për vrasjen dy të rinjve nga Fieri, në afërsi të bregdetit të Lushnjes, në shenjë hakmarrje për të ëmën e vrarë në Fier, e cila kthehej nga Burgu i Fierit, ku i kishte dërguar ndërresa dhe ushqime vetë Cakës.

Pas largimit jashtë vendit u arrestua në Itali, në vitin 2003, me kërkesë të Interpol Tiranës.

Pas 16 viteve burgim, tashmë konsiderohen të shlyera 25 vitet e dënimit, ku Caka akuzohet për vrasjen e Pëllumb Eminit dhe sulmin ndaj postbllokut të policisë, duke tentuar të vrasë dy zyrtarë policie./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!