Cila është e ardhmja, Djokovic?! “Numri 1” i botës, në “udhëkryq” pasi Sinner e mposhti

schedule19:31 - 28 Janar, 2024

schedule 19:31 - 28 Janar, 2024

As nuk mendohet që kjo hyrje triumfale të ketë qenë e fundit. Novak Djokovic vërtet u mund, madje thellë, në gjysmëfinalen e “Australian Open”, veçse kampioni i madh i tenisit nuk besohet se ka ndërmend të dorëzohet. Gjithsesi, çarmatosja e plotë përballë sfidantit të ri, Janik Siner, mos do të thotë se “ylli” i tij ka nisur të perëndojë?

Është e lehtë ta shkosh këtë në mendje, pas rezultatit 1-6, 2-6, 7-6 e 3-6 ndaj italianit. Kjo, edhe për një kampion të madh që ka fituar 24 Grand Slam, një rekord botëror, dhe që ka qendruar në krye të renditjes planetare për meshkuj për 409 javë, gjithashtu një rekord. Vetë “numri 1” i botës bëri një analizë të gjatë pas disfatës, ndërsa përgjigja e tij ishte pozitive, ndonëse jo përfundimtare.

“Së pari, dua të falenderoj Sinner për ndeshjen e madhe. Ka zhvilluar një turne të shkëlqyer deri tani, e meriton finalen. Ai sot më mposhti plotësisht. Në një farë mënyre, isha nën nivelin tim, nuk i bëra gjërat siç duhet. Mendoj se kjo është një nga ndeshjet e mia më të këqija në turnetë Grand Slam, të paktën për aq sa mbaj mend tani. Natyrisht, nuk është bukur të largohesh në këtë mënyrë, por le të përgëzoj rivalin që ibëri gjërat më mirë sesa unë. Për të ardhmen, është herët që të flas. Le të presim. Nuk e di. Unë ende kam ambicie të mëdha për Grand Slam-et e radhës, për Lojrat Olimpike. Kjo humbje, jo domosdoshmërisht do të thotë se ky është fundi për mua!”

Tenisti beogradas, ndërkaq, e tregoi edhe vjet sesi reagon pas humbjes. Noval pësoi disfatë në finalen e Wimbledon ndaj Karlos Alkarazit, dhe u duk se ylli ri e la pas të vjetrin. Nuk kaluan as dy muaj, kur Djokoviç triumfoi në US Open duke marrë titullin e 24-ët Grand Slam.

Gjithsesi, mosha është e rrezikshme dhe në 22 maj ai do të mbushë 37 vjeç. Koha bën të vetën dhe duket se një karrierë e jashtëzakonshme po përfundon. Sidomos një përrallë e vërtetë në Melburn, ku Djokovic ka fituar 10 trofe.

Personazhi në fokus është padyshim i veçantë, nga ata që vijnë rrallë, ddhe kur u përjashtua në 2020 për shkak të refuzimit për t’u vaksinuar, vendim që nuk e shkeli kurrë.

Po përfundon një epokë e shënuar nga rivaliteti i madh sidomos mes tij, Nadal e Federer. Publiku jo gjithmonë e ka dashur, aq sa përplasjet nuk kanë munguar, siç ndodhi këtë vit. Gjithsesi, e ka pranuar si rekordmenin e “Australian Open”. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!