Sokol Cikalleshi realizoi golin e parë të fitores 3-1 të Shqipërisë kundër Kazakistanit, takim për llogari të Nations League. Sulmuesi kavajas foli pas ndeshjes për RTSH Sport, duke u ndalur te suksesi i kuqezinjve, goli i tij dhe ndeshja finale për vendin e parë ndaj Bjellorusisë (18 nëntor, 16:00).
“Ishte ndeshje që duhej ta fitonim, e dinim që me Kazakistanin do ta kishim të vështirë po të mos e zhbllokonim takimin. Më vjen mirë që hapa serinë e golave. Kemi bërë gjysmën e punës sot. Të luash me kombëtaren është kënaqësi, u bënë dy muaj që nuk kam qenë pjesë e saj. Më mungon gjithmonë kombëtarja.
Reja? U bë një kohë e gjatë që jam në kombëtare. Nuk do t’i jepja ndonjë mesazh trajnerit, sepse kam kohë këtu dhe ai ka kohë këtu. Kemi shumë sulmues të mirë, na ka rënë neve pesha më shumë kur humbasim. Sulmojmë dhe mbrojmë në grup. Trajneri është OK, i ka zgjedhjet dhe zgjidhjet në mendje. Nuk kemi ndonjë mesazh për trajnerin, sepse jemi profesionistë.
Ishte një lajm shumë interesant që shënova në minutën e 16-të me fanellën me numër 16. Ndeshjet e kaluara kanë qenë të rëndësishme, pasi kanë luajtur 10 lojtarë të rinj, trajneri donte të sillte elementë të rinj në kombëtare. Reja ka integruar elementin e ri në kombëtare, për të rigjeneruar moshën mesatare. Me Kazakistanin dhe Lituaninë kishte shumë eksperimente. Këta djem treguan që janë gati“, përfundoi sulmuesi i Shqipërisë. /abcnews.al