Cikalleshi: S’më ka pushuar telefoni, golat vijnë për një arsye! Kritikat? Flet fusha

schedule20:39 - 21 Shkurt, 2021

schedule 20:39 - 21 Shkurt, 2021

Sokol Cikalleshi “shpërtheu” me Konyaspor, duke shënuar dy gola dhe qenë aktori kryesor i përmbysjes së skuadrës së tij ndaj Malatyaspor nga shifrat 2-0 në 2-3. Sulmuesi i kombëtares sonë shënoi dy gola me kokë në vetëm 4 minuta dhe u bë heroi i skuadrës së tij.

Sot ai foli për gazetarin e Abcnews.al, Denis Lala dhe tregoi rreth emocioneve të asaj sfide dhe jo vetëm. Trajneri Reja kohë më parë tregonte se Cikalleshi i zgjidhte hallet në kombëtare, pra ishte “shpëtimtari” i tij, ndërsa mbrëmë u bë edhe “shpëtimtari” i Konyaspor.

 

Kavajasi komenton kështu: “Shpëtimtar është fjalë e madhem por vjen me kuptimin që unë po shënoja ndeshje pas ndeshje dhe po e ndihmoja ekipin që të arrinte te rezultatet. Arritëm qëllimin që kishim: të dilnim të parët në grup.

Te Konyaspor thjesht bëra detyrën, si në çdo ndeshje. Kam dhënë maksimumin gjithmonë, ashtu si në këtë ndeshje. Më nderoi Zoti me dy gola, jam i lumtur më shumë sepse puna e përditshme mu shpërblye edhe me gola”, shprehet fillimisht Cikalleshi.

 

Golat e djeshëm ishin të dy me kokë, ashtu si të tjerë në të shkuarën e afërt. Cikalleshi saktësinë me kokë ia atribuon punës së madhe dhe eksperiencës. “Kohët e fundit golat me kokë më janë shtuar. Besoj se ka të bëjë eksperienca dhe puna që kam bërë. Uroj të vazhdoj kështu dhe besoj se do vazhdoj të shënoj akoma më shumë”.

Dje ishte një ndeshje nga ata që u tregohen nipërve në të ardhmen e largët, por Cikalleshi kujton edhe një tjetër përmbysje të tillë kur ishte pjesë e RNK Split në Kroaci. “Ka ndodhur edhe një herë një përmbysje e tillë. Kam qenë pjesë e Split (në Kroaci).

 

Pjesa e parë ishte 2-0 për kundërshtarët dhe në të dytën e kthyem për 2-3 dhe unë kam shënuar golin e fitores. Mund të ketë qenë edhe ndonjëherë tjetër, por tani nuk po e kujtoj”, tregon ai. Ka qenë pikërisht një ndeshje ndaj Osijek më 25 prill të vitit 2015 për javën e 30 të kampionatit kroat, kur Split bënte atë përmbysje të çmendur.

“Bomberi” i kombëtares ka marrë shumë urime pas dopietës. Mes tyre ai veçon ata të familjes. “Telefoni ka qenë plot me mesazhe dhe komente. I falënderoj të gjithë për mbështetjen, i kam pasur në çdo moment pranë, por çdo gjë nis te familja dhe nga ata i kam marrë urimet më të mira dhe të përzemërta”.

Në verë kur Konyaspor afroi Cikalleshin, ish-trajneri Bulent Korkmaz dha dorëheqjen dhe mediet turke raportuan se kjo ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje pikërisht në lidhje me ardhjen e sulmuesit kuqezi. Cikalleshi shprehet se i është përgjigjur çdokujt me paraqitjet e tij.

 

“Janë komentuar shumë këto ngjarje. Këto ngelin të gjitha në kuadrin e thashethemeve, më e rëndësishmja është ajo çka japim në fushë dhe çfarë ndodh në kombëtare. Kemi korrur suksese kohët e fundit dhe jemi në rrugë të mbarë për të bërë akoma më mirë. Kështu që edhe këtu, ajo që bëj brenda fushës i jep përgjigjen më të mirë çdokujt, në qoftë se ka pasur ndonjë dyshim. Puna në fushë tregon gjithçka”.

Cikalleshi numëron 3 rrjeta këtë sezon me Konyaspor dhe me këtë dopietë mund të ketë hapur rrugën e shumë golave të tjerë këtë edicion. Ai ka të njëjtin mendim dhe shprehet se pozicionimi në fushë me trajnerin e ri, Ilhan Palut (i emëruar më 10 shkurt) do e ndihmojë të jetë më pranë portës.

 

“Punoj çdo ditë për këtë profesion dhe në ndeshjet kur nuk kam shënuar kam bërë më të mirën. Kam qenë profesionist dhe kam luftuar për ta ndihmuar ekipin në arritjen e rezultateve, pavarësisht se ka pasur të bëjë pak edhe pozicioni ku jam vendosur në fushë.

Nuk kam luajtur sulmues qendre, por kam qenë i pozicionuar në krah dhe kjo më ka larguar disi me portën. Me ardhjen e trajnerit të ri kam filluar të luaj në rolin tim dhe besoj se do jem më afër golit. Afër syrit, afër zemrës, tani le të shohim”.

 

Në mars nisin ndeshjet eliminatore të Botërorit 2022, ku spikat beteja me Anglinë në “Air Albania”. Sipas Cikalleshit kjo sfidë mund të hyjë në histori dhe djemtë do bëjnë maksimumin për ta realizuar këtë.

Ndeshjet e kombëtares po afrohen dhe patjetër që po mendoj edhe për kundërshtarët që kemi. Kemi fillimisht ndeshjen me Andorrën, që është sfidë për t’u fituar, por aspak e lehtë. Pastaj Anglia është ndeshje për t’u shijuar.

 

Të jemi me këmbë në tokë që është ndeshje shumë e vështirë, në të cilën mund të luajmë për historinë dhe ne do të japim gjithçka kemi, çdo mundim dhe përpjekje do jetë për ta bërë atë ndeshje histori. Jemi gati me gjithë forcën tonë”.

Qëllimi i Cikalleshit është vazhdimi në Superligën turke dhe synimi i tij është mbyllja e karrierës atje.  “Për momentin qëllimi im kryesor është të vazhdoj sa më gjatë në Turqi dhe pse jo ta mbyll karrierën në Superligën turke. Ky është qëllimi im, pra plani A dhe nuk dua të mendoj për një tjetër plan”.

 

Në fund 30-vjeçari flet për marrëdhënien me dy shqiptarët e tjerë te Konyaspor: Zymer Bytyqi dhe Eldon Daci. “Shkojmë shumë mirë me njëri tjetrin, kemi marrëdhënie shumë mira, rrimë bashkë.

Ata janë dy çuna të rinj, kështu mua më bie barra t’i ndihmoj më shumë. Jam një mbështetje për ta, kam qenë dhe do të jem. Nuk ka më mirë që shqiptarët të ecin para dhe kjo arrihet vetëm duke qenë bashkë”, përfundoi sulmuesi i kombëtares. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!