Sokol Cikalleshi u transferua te Konyaspor shtatorin e kaluar, dhe ia ka dalë të kthehet në një nga liderët e ekipit që garon në elitën e futbollit turk.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare e mbylli sezonin e kaluar me 8 gola të shënuar, teksa po paraqitet shumë mirë edhe në duelet miqësore.
31-vjeçari nga Kavaja ka realizuar dy gola në takimet përgatitëse për sezonin e ri. Konyaspor luan të hënën (16 gusht) ndeshjen e parë në kampionat, në fushën e Sivasspor.
Dy gola nga Cikalleshi në dy miqësoret e fundit të fituara nga Konyaspor. Shtatlarti i sulmit ndodhet në formë të mirë sportive dhe trajneri i tij nuk i kursen elozhet.
İlhan Palut qëndron në stolin e Konyasporit prej muajit shkurt dhe lojtarin shqiptar e vlerëson shumë, madje e karikon që të vazhdojë të dërgojë topat në rrjetet kundërshtare.
“Të gjithë i dinë cilësitë e Cikalleshit. Ai është një futbollist me përvojë dhe tepër i talentuar. Ne kemi nevojë për golat që do shënojë, besojmë shumë te Sokoli“, deklaroi 44-vjeçari turk. /abcnews.al