CIA përgatit më shumë agjentë të rinj

schedule17:02 - 26 Shtator, 2018

schedule 17:02 - 26 Shtator, 2018

Duke renditur prioritetet e agjencisë amerikane kryesore të spiunazhit, drejtoresha e CIA-s, Gina Haspel, u shpreh se po përgatitet një numër i konsiderueshëm agjentësh të rinj për misione në vendet rivale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Agjencia kryesore e spiunazhit të Shteteve të Bashkuara po kërkon të zgjerojë praninë e saj në mbarë globin për të eliminuar të ashtuquajturat “boshllëqe të inteligjencës” dhe për t’u përballur me kërcënimin në rritje nga fuqitë e mëdha si Rusia dhe Kina.

Drejtoresha e CIA-s, Gina Haspel, të hënën e quajti zhvendosjen nga kundërterrorizmi tek spiunazhi më tradicional ndaj shteteve, “një prioritet strategjik”, duke thënë se nevoja për të patur një zbulim më të mirë ndaj rivalëve aktualë dhe potencialë të Shteteve të Bashkuara është ndër “çështjet më të vështira”.

Haspel tha gjithashtu se ajo synon “rritjen e numrit të oficerëve të vendosur jashtë vendit”. CIA shpreson të rekrutojë më shumë folës të gjuhëve të huaja, përfshirë ata që flasin rrjedhshëm gjuhën kineze, arabe, farsi, turqisht, frëngjisht dhe spanjisht.

Deklarata e Haspel pasqyron përparësitë e paraqitura në strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të parashtruar në fund të vitit të kaluar. Strategjia thekson nevojën për t’iu kundërvënë përpjekjeve të rivalëve të Shteteve të Bashkuara për të zhvendosur ekuilibrin e fuqisë në rangun global në forma që kanë ndikuar negativisht Shtetet e Bashkuara.

Drejtoresha e CIA-s shprehu shqetësime të veçanta lidhur me Kinën, e cila tha ajo, është “duke punuar për të zvogëluar ndikimin e Shteteve të Bashkuara në mënyrë që të avancojë qëllimet e saj”.

Haspel nga ana tjetër e cilësoi si “befasuese” sasinë e fondeve që Teherani vazhdon të shpenzojë për të mbështetur qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad, për të zgjeruar ndikimin në Bagdad dhe për të mbështetur Houth-it në Jemen, duke pasur parasysh të vështirësitë ekonomike të Iranit.

Para konfirmimit të saj si drejtoreshë e CIA-s, Haspel ishte kritikuar ashpër për rolin e saj në mbikëqyrjen e një qendre sekrete për marrjen në pyetje të personave të dyshuar në Tajlandë dhe shkatërrimin e kasetave të seancave të marrjes në pyetje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!