Kapiteni i Juventusit, Giorgio Chiellini, është rikthyer të flasë karrierën e tij dhe jo vetëm. Në një intervistë për “So Foot”, italiani tregon rivalitetin me Zlatan Ibrahimovic si dhe bën një krahasim mes tij e Ramos apo Van Dijk. Në fund ai ndalet dhe tek tema e krijimit të Superligës së Europës dhe mungesa e tifozëve.
RIVALITETI ME IBRAHIMOVIC – “Unë duhet të gjej një rival të denjë për të dhënë më të mirën time. E respektoj shumë Zlatanin dhe ai mua. Ishim shokë ekipi në sezonin e parë kur unë erdha te Juvja. Kurrë nuk kisha frikë të përballesha me të, nuk bëja asnjë hap prapa. Ai u bë një armik absolut kur shkoi tek Interi, më pas një kundërshtar normal te Milani apo me ekipin e tij kombëtar”.
DUELET NË MBROJTJE DHE CILËSITË TEKNIKE – “Ndihem shumë mirë kur fitoj një duel. Më jep një adrenalinë të pamasë kur bllokoj një goditje të rrezikshme apo kur shmang një gol të sigurt. Është një lumturi ndryshe nga ajo e shënimit, e pakrahasueshme.

Goli që shënova në çerekfinale në Champions League kundër Barcelonës më dha shumë më pak kënaqësi se sa kur ndala Harry Kane të shënonte në minutën e 89-të. Për lojtarë “normal” si unë e Barzagli duhet të jesh pesimist dhe të parashikosh më të keqen. Andrea është një mbrojtës shumë i mirë, por ne nuk kemi cilësitë e Sergio Ramos apo Virgil Van Dijk”.
PANDEMIA DHE KRIJIMI I SUPER LEAGUE – “Pa tifozë nuk ka kuptim loja. Emocionet mungojnë, por më mirë se pa asgjë është. Për fat të keq të gjithë duhet të përshtatemi. Pesë vite më parë i thashë presidentit Agnelli se shpresoja të luaja çdo javë kundër ekipeve si Real, Barça, PSG apo Bayern Munchen.
Për lojtarët e niveleve të larta do të ishte shumë mirë, mbase një format i ri i Champions League. Në këtë kohë pandemie ka shumë pasiguri dhe padyshim që futbolli duhet të përmirësohet”, përfundon Chiellini. /abcnews.al

