Chelsea “fshin” Brojën/ Blutë e Londrës nuk e përfshijnë në listën për “Botërorin”

schedule12:34 - 12 Qershor, 2025

schedule 12:34 - 12 Qershor, 2025

Nuk  kishte dyshime, por tani është zyrtare. Armando Broja nuk bën pjesë në planet e Chelsea për të ardhmen. Konfirmimi vjen nga lista e futbollistëve që Blutë e Londrës kanë depozituar në FIFA për Botërorin e Klubeve. Emri i sulmuesit të kombëtares shqiptare nuk është mes 28 lojtarëve që trajneri Enzo Maresca do të marrë me vete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Asnjë surprizë, pasi edhe më parë mediat pranë Chelsea e kishin paralajmëruar se Armando Broja ishte vendosur në një tjetër listë, atë të shitjeve.

Madje duke qëndruar në këto raportime, Blutë e Londrës kanë vendosur të bëjnë skonto për kartonin e futbollistit, që u kthye në shtëpi pas huazimit të radhës te Everton.

Klubi nga Liverpul nuk pranoi të paguajë 30 milion paund për shqiptarin, ndërsa Chelsea tani është gati të pranojë 20 milion euro për të gjetur një sistemim përfundimtar për 23 vjeçarin.

Ky është edhe objektivi i vetë Brojës, ndërsa interesimet për të nuk mungojnë.

Me reale janë ato që vijnë nga Holanda, ku sulmuesi shkëlqeu me Vitese.

Por tani janë emrat e mëdhenj të Eredivisie, si Ajax dhe PSV Eindhoven që kanë kërkuar informacion për të.

Edhe Lajpcig në Gjermani ka bërë një sondazh për shqiptarin.

Po ashtu, me Iglin Taren që mori rolin e drejtorit sportive te Milan nuk mund të mungonin zërat e merkatos, që e afrojnë Brojën me skuadrën kuqezi. Përpara dy sezonesh Milan e kishte seriozisht, madje ishte ulur në tavolinën e bisedimeve me Chelsea, por tani nuk ka asgjë konkrete dhe për momentin bëhet fjalë për “thashetheme” merkatoje, që në këtë periudhë të vitit qarkullojnë me shumicë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!