Champsion League/ Mbappe përballë “Murit të Verdhë”, PSG kërkon triumfin në “Signal Iduna Park”

schedule11:56 - 1 Maj, 2024

schedule 11:56 - 1 Maj, 2024

Nuk është dueli klasik, si ai në “Allianz Arena”, por sërish të siguron biletën për në finale. Një tjetër stadium gjerman do të presë gjysmëfinalen e UEFA Champions League, teksa mbrëmjen e kësaj të mërkure “gjigantët” francezë, të Paris Saint-Germain do të sfidojnë në “mitikun” e “Signal Iduna Park”, “Murin e Verdhë”, të tifozëve të Borussia Dortmund.

“Verdhezinjtë” janë një prej gjysmëfinalistëve që askush nuk i priste e krejt e ndryshe është situat në anën tjetër, me “gjigantët” e Parisit, të cilët që prej fillimit kanë qenë një nga pretendentët për trofeun që në fillim, teksa kujtojmë se dy skuadrat u ndeshën edhe në fazën e grupeve, ku PSG fitoi 2 me 0 në shtëpi e barazoi, 1 me 1, pikërisht në “Signal Iduna Park”.

Për më tepër, “gjigantët” francezë fituan fundjavën e kaluar titullin në Francë, pra mund të jetë e qetë, ndërsa yjet kryesorë si Kylian Mbappe, Lucas Hernandez dhe Gianluigi Donnarumma, të cilët u lanë pushim në ndeshjen ndaj Le Havre e në fushën e blertë, tre të mësipërmit pritet të shoqërohen nga Barcola, Ousmane Dembele, Achfrat Hakimi e Marquinhos.

Padyshim i gjithë fokusi do të jetë tek “ylli” francez, Kylian Mbappe, i cili e kërkon me çdo kusht trofeun e UEFA Champions League, për t’u larguar “faqebardhë”, nga “Parc des Princes”, në fundin e sezonit, drejt “Galaktikët” të Real Madrid. Prezenca e Mbappe i bën padyshim “parisienët” favorit, megjithatë tekniku, Luis Enrique “tallet” me mediat kur i thonë një gjë të tillë.

“Unë mendoj se çfarëdo rezultati për të katër skuadrat që janë në gjysmëfinale nuk mund të jetë një habi. Për të katërta. Jo thjesht për ne. Shtypi thotë se ne jemi favoritë, por duket se shtypi nuk di asgjë për futbollin. Këtë mendim e kam prej shumë kohësh. Gjëja e bukur që jemi këtu është se mund të kënaqemi me ndeshje të tilla kaq speciale, dhe në një nga stadiumet që është unik në Europë, e po ashtu që t’i japim një kënaqësi të madhe tifozëve tanë duke u kualifikuar për në finale. Kështu kemi menduar në ndeshjet e mëparshme, dhe do të përpiqemi të kënaqemi sërish”.

Megjithatë, edhe kundërshtarët nuk mbeten pas, me “Verdhezinjtë” që kanë rikuperuar shërbimet e qendërmbrojtësit “veteran”, Matts Hummels, i cili do të zbresë në fushë, teksa ka hedhur pas krahëve dëmtimin e pësuar, në sfidën e fundit në kampionat, përballë “Demave”, të RB Leipzig, sfidë në të cilën u mundën me rezultatin e thellë, 4 me 1.

Në stërvitje është kthyer gjithashtu edhe anësori holandez, Donyell Malen, i cili duket të ketë rikuperuar dëmtimin që po e mban afro një muaj fushave të blerta, mirëpo jo vetëm kaq, pasi tekniku Edin Terzic ka konfiruar edhe një tjetër rikthimin, me “fantazistin” austriak, Marcel Sabitzer, i cili qëndroi në stol, në sfidën e fundit, ndaj Leipzig.

Megjithatë ka edhe mungesa të rëndësishme, si Sebastian Haller e Bensebaini, ndërsa nga pezullimir rikthehen Emre Can e Ian Maatsen. Gjithsesi, skuadra gjermane është nën presion sepse rrezikon kualifkimin në Champions League, nga Bundesliga, pra duhet ta sigurojë nga kjo gjysmëfinale, ku për teknikun Edin Terzic, që ultrasit, të mbiquajtur “Muri i Verdhë” pritet të ndihmojnë jo pak ekipin.

“Ne nuk ishim aspak të kënaqur me ndeshjen e luajtur në Paris. Nuk shfrytëzuam dot hapësirat për kundërsulm, ndonëse hapësirat ekzistonin. Në fund humbëm 2-0 me një penallti të dyshimtë. Gjithsesi, ishte krejt ndryshe në ndeshjen e dytë në Dortmund. Është e qartë se duhet të kalojmë vetveten, por ajo fitore na jep besim. Jo shumë kohë më parë luajtëm një ndeshje të madhe këtu ndaj Atletico. Luajtëm një ndeshje të madhe edhe në Mynih ndaj një rivali si Bayern. Kjo na bën të besojmë në këtë ndeshje, dhe në atë të kthimit në Paris”,- u shpreh tekniku kroat. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!