Mançester Junajtid pret Paris Sen Zhermenin, në një duel të madh të Championsit, sonte në mbrëmje. Skuadra angleze jepet favorite për të fituar ndaj kampiones së Francës, që ka të dëmtuar disa nga lojtarët kryesorë.
Nuk ka kohë më të mirë sesa kjo për të synuar çerekfinalet. Championsi rikthehet me një përballje të madhe, dhe tifozët e Mançester Junajtidit besojnë se me këtë trajner, Ole Gunar Solskjerin, mund t’ia dalin ndaj Paris SG.
Dhjetë fitore në 11 ndeshje në Angli e kanë transformuar skuadrën dikur në krizë të Zhoze Murinjos.
Simboli i kthesës nuk mund të ishte tjetër përveçse Pol Pogba, një nga yjet më të mëdhenj të botës, që po shënon gola e po ndihmon shokët që të realizojnë.
Për më tepër, Solskjeri ka në dorë një skuadër thuajse pa mungesa, me mbrojtësin Lindelof të rikthyer, dhe vetëm me mbrojtësin tjetër, Markos Roho, në dyshim.
“Jemi në momentin më të mirë për të luajtur ndeshje të tilla, – thotë trajneri, – kjo, sepse po luajmë shumë mirë dhe po fitojmë. Kemi besim në vetvete dhe po luajmë si skuadër. Kjo është koha më e mirë për të luajtur një duel të tillë. Tifozët dhe lojtarët mezi i presin përballje si kjo”.
Paris SG udhëtoi drejt Anglisë me moral të lartë, të paktën në dukje.
Pavarësisht mungesave, nuk mungojnë emrat e mëdhenj si Bufoni, Mbape, Tiago Silva, Dani Alvesh, apo Marko Verrati.
Francezët kanë probleme të mëdha me dëmtimet, dhe kjo në momentin më të keq.
Përveç Nejmarit, mungon edhe shënuesi kryesor i klubit, Edinson Kavani, si dhe mbrojtësi Tomas Mënie.
Trajneri Tomas Tuhel shpreson që Marko Verrati të jetë në gjendje të luajë sërish titullar, ashtu siç bëri në kampionat ndaj Bordosë, ndërsa sapo është kthyer nga dëmtimi.
Edhe forma e parizienëve nuk ka qenë e mirë, dhe në tre ndeshjet e fundit kanë një humbje në fushën e Lionit, një kualifikim me kohë shtesë në Kupën e Francës ndaj një ekipi të vendit të tretë, dhe një fitore 1-0 në kampionat ndaj Bordosë, falë një penalltie.
“Do të kemi një nga sfidat më të vështira në “Old Traford”, – u shpreh Tuheli, – Mançester Junajtid është në formë shumë të mirë nën drejtimin e Solskjerit dhe po fiton shumë ndeshje. Ne në Gjermani themi se kur doktori të shëron, ai ka të drejtë, dhe Solskjer duket se e ka shënuar skuadrën e tij. Për fat të keq, situata jonë ka ndryshuar krejtësisht, por besoj se shanset për kualifikim janë 50 me 50”.
Junajtid jepet favorit për fitoren me koeficientin 2.35 ndaj 3.00 të francezëve, por Paris SG, gjithsesi, vlerësohet si favorit për kualifikimin. /abcnews.al