Champions/ Martini: Sherifi favorit në letër, Seferi e Kallaku përshtaten direkt

schedule11:56 - 6 Korrik, 2021

schedule 11:56 - 6 Korrik, 2021

Edi Martini, trajneri i Teutës, ka dalë para mediave ditën e sotme dhe ka folur për duelin me Sherif Tiraspol, që zhvillohet nesër prej orës 19:00 në stadiumin “Niko Dovana”. Shkodrani i gëzohet fillimisht faktit që nuk kanë dëmtime.

“Kemi bërë një fazë përgatitore të mirë dhe është e rëndësishme që nuk kemi pasur dëmtime. Daja ka pasur pak probleme në fund të stërvitjes dje. Në përgjithësi skuadra është mirë, edhe lojtarët që kanë ardhur janë të mobilizuar. Kështu që shpresoj që gjithçka të shkojë mirë”, tha Martini.

Më pas ai foli për çështjen e kualifikimit dhe rivalin që kampionët e Shqipërisë do të kenë përballë: “Normalisht që në letër janë më mirë se ne, kanë buxhet shumë herë më të lartë se ne. Jemi në një pikë që pavarësisht se nuk jemi të favorizuar, mund të arrijmë më të mirën.

Sigurisht është një ndeshje shumë e vështirë, nuk është sikur vjet që ishte me një takim dhe luanim në shtëpi. Sidoqoftë duhet të bëjmë një paraqitje shumë të mirë ndeshjen e parë, të arrijmë rezultat dhe të shohim pastaj ndeshjen e kthimit”.

A janë përshtatur lojtarët e afruar? Martini shprehet kështu dhe konfirmon afrimin e Kallakut: “Çdo gjë do kohën e vet, jemi të vetëdijshëm. Seferi është një lojtar që vrapon shumë dhe na ndihmon në të dyja fazat, në mbrojtje e sulm. Është një lojtarë me eksperiencë, pasi vjen nga kombëtarja.

Lojtarët që vijnë nga kombëtarja kanë treguar se përshtaten shpejt. Kallaku është një lojtar që deri vjet ka qenë i joni, kështu që nuk është ndonjë problem i madh, pasi 80 për qind e ekipit është po ai. Shpresoj të jenë në maksimumin e gjendjes së tyre”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!