Champions Leauge/ Milan siguron 3 pikë në transfertën sllovake, Atletico luan “tenis” në Pragë

schedule20:37 - 26 Nëntor, 2024

schedule 20:37 - 26 Nëntor, 2024

Objektivi kryesor ishte fitorja dhe diçka e tillë u arrit me tepër lehtësi.

“Djajtë” e Milan dhe “Los Colchoneros” e Atletico Madrid kanë arritur fitoret e radhës në elitën e futbollit evropian, me italianët që fituan 3-2 ndaj Slovan Bratislava, ndërsa Atletico Madrid “çmontoi”, 6-0, çekët e Sparta Prague, në sfidat e vlefshme për xhiron e 5-të të fazës ligës së UEFA Champions League.

Kështu, në “Tehelne pole” të Bratislavës, djemtë e Paulo Fonseca nuk e patën aspakt të vështirë të gjenin fitoren, pavarësisht se pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-1, pas golave të Christian Pulisic në minutën e 21’-të dhe Tigran Barseghyan vetëm 3 minuta më vonë, i cili çoi “peshë” tifozët vendas me golin e tij.

Në fraksionin e dytë të lojës erdhi edhe kundërpërgjigjja e “Kuqezinjve”, teksa ishte fillimisht i sapo futuri në lojë Rafael Leao që i jep sërish avantazhin italianëve dhe 3 minuta më vonë, Tammy Abraham çoi shifrat në 3-1, ndërsa për të “vulosur” rezultatin e përgjithshëm mendoi 19-vjeçari Nino Marcelli, pas një pasimi të Barseghyan në minutën e 88’-të, por pa mundur të bëjë më shumë.

Në krahun tjetër, “Los Colchoneros” e Atletico Madrid janë treguar “të pamëshirshëm” ndaj Sparta Prague, për të cilët titullarë ishin edhe Qazim Laçi, Ermal Krasniqi e Albion Rrahmani, por që nuk mundën të bënin diferencën.

Sipari i golave u çel që në minutën e 15’-të nga “ylli” argjentinas, Julian Alvarez e për t’u vazhduar më pas nga Marco Llorente, sërish Julian Alvarez, Antoine Griezmann, si dhe një dopietë e Angel Correa, respektivisht në minutat 43’, 59’, 70’, 85’ e 89’.

Falë këtyre triumfeve, Atletico Madrid e Milan ngjiten në vendet 9 e 10 të renditjes, me nga 9 pikë, Sparta mbetet në vendin e 28-të me 4 pikë, ndërsa Slovan Bratislava në vendin e fundit me 0 pikë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!