Kanë përfunduar pjesët e para të shtatë sfidave të mbrëmjes së kësaj të marte, të vlefshme për xhiron e pestë të fazës ligës së UEFA Champions League.
Kështu, Inter e Bayern Munich janë duke udhëhequr me rezultatin 1-0, respektivisht ndaj RB Leipzig e PSG, në sfidat më të rëndësishme të mbrëmjes, ku për “Zikaltërit” goli erdhi nga një autogol i Castello Lukeba, ndërsa për “Bavarezët” rrugën e rrjetës e gjeti koreano-jugori, Kim Min-Jae.
Fitore të mëdha duket se do të sigurojnë edhe Bayer Leverkusen, Arsenal e Atalanta, me “Aspirinat” e Xabi Alonso që po udhëheqin 3-0 ndaj Salzburg falë dopietës së Florian Wirtz e golit të Grimaldo nga pika e bardhë e penalltisë dhe me të njëjtin rezultat po triumfojnë edhe “Topçinjtë” në transfertën e Sporting Lisbon pas golave të Martinelli, Kai Havertz e Gabriel.
Në krahun tjetër, “Bergamaskët” e Atalanta kanë arritur të shënojnë plot 4 gola në portën e zviceranëve të Young Boys, ku për golat menduan Charles De Ketelaere e Matteo Retegui, me belgun që shënoi 1 e asistoi 3 të tjerë e argjentinasin që plotësoi dopietën personale, ndërsa për golat e tjerë në rezultatin 4-1 menduan Ganvoula për vendasit dhe Kolasinac për italianët.
Barcelona e Manchester City po sigurojnë gjithashtu triumfet e radhës, me “Qytetarët” që po udhëheqin falë “vikingut” norvegjez, Erling Haaland, ndërsa “Katalanasit” i falen golit të Robert Lewandowski, me polakun që ka gjetur golin e 100-të në Champions. /i.m /abcnews.al