Trajneri i Kosovës, Bernad Challandes ka publikuar listën e lojtarëve të zgjedhur për tre ndeshjet e grumbullimit të nëntorit. Kosova do të luajë një betejë vëllazërore me Shqipërinë dhe dy ndeshje për Ligën e Kombeve ndaj Sllovenisë dhe Moldavisë.
Në këto sfida Challandes ka zgjedhur të grumbullojë dy lojtarë për herë të parë. Ylli i Ballkanit, Mirlind Daku ka shkëlqyer në Kosovë dhe është i vetmi nga IPKO Superliga në këtë listë. Një tjetër debutues është Betim Fazliji i St Gallen në Zvicër.
Bie në sy edhe rikthimi i Bernard Berishës, që ka pasur mosmarrëveshje me trajnerin dhe në ndeshjet e tetorit nuk u grumbullua. Mungesat e shumta e dënuan Kosovën më pas dhe Berisha do të ishte shumë i vlefshëm. Këtë herë Challandes duket se e ka marrë mësimin. Nuk mungon as Bekaj i Tiranës në listë.
NJOFTIMI – “3 nëntor, 2020 – Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes e ka publikuar listën e futbollistëve për tri ndeshjet e muajit nëntor; miqësoren kundër Shqipërisë, më 11 nëntor dhe dy ndeshjet e fundit në kuadër të Grupit 3 të Ligës C në Ligën e Kombeve kundër Sllovenisë, më 15 nëntor në Lubjanë dhe Moldavisë, më 18 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Përzgjedhësi Challandes për këto tri ndeshje ka ftuar 27 futbollistë, si dhe dy lojtarë i ka në listën rezervë. Për herë të parë janë ftuar Betim Fazliji nga klubi zviceran, St.Gallen dhe sulmuesi i Ballkanit, Mirlind Daku, i cili deri më tash ishte pjesë e Kombëtares U21. Dardanët do të grumbullohen më 9 nëntor në Durrës, ku do t’i zhvillojnë përgatitjet për miqësoren me Shqipërinë”. /abcnews.al