Challandes: San Marino jo e lehtë, vuajti edhe Shqipëria! Muriqi? Nuk e di pse nuk shënon te Lazio

schedule20:21 - 1 Qershor, 2021

schedule 20:21 - 1 Qershor, 2021

Kosova mposhti San Marinon me katër gola të shënuar nga Vedat Muriqi dhe normalisht trajneri Bernard Challandes është i kënaqur me atë që paraqiti skuadra e tij. Pas ndeshjes, që përfundoi me rezultatin 4-1, teknik zviceran foli për Supersport Kosova.

“Ishte një ndeshje serioze dhe shumë e mirë. Nuk mund të them që ishte shumë e vështirë, por e interpretuam mirë dhe bëmë një ndeshje shumë të mirë. Mund të tregoheshim më efikasë, megjithatë ekipi bëri lojë të mirë, ia doli të shënojë dhe mendoj se duhet të jemi të kënaqur me atë që bëmë”.

“Ishte shumë e rëndësishme të interpretonim mirë të gjithë fazat e lojës dhe të mos bënim gabime, ndaj në tërësi them se bëmë një ndeshje të mirë. Ndaj San Marinos nuk është kaq e lehtë, pasi edhe Shqipëria vuajti jo pak ndaj tyre dhe në fund arriti të shënojë vetëm dy gola”.

“Të rinjtë? Bajselmani ka bërë një paraqitje të mirë, por sot nuk ka qenë e vështirë për mbrojtësit, pasi nuk kanë pasur shumë punë. Më ka pëlqyer qetësia dhe loja e mirë me topin, kryesisht në ndërtimin e aksioneve. Idrizi (Blendi, i Schalke 04) ishte gjithashtu i veçantë në mesin e fushës dhe mjaft dinamik, ndaj është shumë pozitive për ne, që të kemi lojtarë të rinj dhe konkurrencë”.

“Muriqi? Nuk mund ta krahasoj situatën e tij këtu, me atë te Lazio. Mund të them se këto gola sot do t’i japin shumë vetëbesim. Shpresoj që t’i shënojë dy gola edhe ndaj Spanjës, por nuk di të them pse shënon kaq pak te Lazio. Ndoshta ndikon konkurrenca e madhe, apo presioni, por unë jam shumë i kënaqur me paraqitjet e tij te Kosova”.

“Unë mendoj se ai ka arritur një sukses, që është transferuar te Lazio, por ka konkurrencë të fortë me lojtarë si Immobile e Correa, të cilët janë fantastikë. Ka ardhur rishtazi te Lazio dhe duhet të jetë i qetë e i përulur, për të punuar shumë e për t’u përmirësuar”. /abcnews.al