Në institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë SPAK, pati një rrokadë mes drejtuesve me pasuesin e Dumanit, prokurorin Klodjan Braho që do të jetë në krye për 3 vitet e ardhshme.
Sondazhi i kësaj jave në programin ‘Zëri i Shqiptarëve’ u fokusua mbi performancën e SPAK dhe ish- drejtuesit të tij Altin Dumanit.
Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, ku u plotësua elektronikisht në mënyrë krejt anonime nga 1152 banorë të rritur të vendit. Kampioni u ripeshua statistikisht për t’i përfaqësuar sa më mirë banorët e rritur të Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, demografike, arsimore, dhe politike. Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor: +/- 2.9%
Pyetjes se “Çfarë vlerësimi keni për drejtimin 3 vjeçar të SPAK-ut nga Altin Dumani?”, 52.7 për qind e të anketuarve kanë mendim pozitiv. Sakaq, 30 për qind e të anketuarve kanë mendim negativ dhe pjesa tjetër konkretisht 17.3 për qind kanë mendim ‘të përzier’.
Shifrat e sondazhit të ekstrapoluara në mënyrë të përafërt me banorë të rritur, tregojne se rreth 1 milion shqiptarë kanë mendim pozitiv për drejtimin 3 vjeçar të SPAK nga Altin Dumani. Rreth 570 mijë shqiptarë kanë mendim negativ, ndërsa vlerësim ‘të përzier’ kanë 330 mijë shqiptarë. / abcnews.al /

