Çfarë rezultatesh kemi? Peleshi i përgjigjet ABC News për satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”

schedule10:47 - 24 Mars, 2023

schedule 10:47 - 24 Mars, 2023

TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi iu përgjigj interesit të ABC News për punën dhe rezultatet e para të dy satelitëve, “Albania 1” dhe “Albania 2” të cilët janë lëshuar në hapësirë në muajin janar.

Ai tha se puna ka nisur dhe se çdo javë marrin imazhe satelitore, të cilat më pas përpunohen nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG). Sipas tij, imazhe që vijnë nga satelitët fillimisht përpunohen nga specialistët e fushës dhe më pas bëhen të kuptueshme për institucionet e tjera.

“Është fillimi, natyrisht nga janari, sapo ato janë lançuar kemi filluar të marrim imazhet e para. Në marrin çdo javë imazhe. Marrim imazh nga dy satelitët, të cilat përpunohen nga ASIG. Aty kemi një staf të specializuar, që po dedikohet për përpunimin e imazherisë. Do shtohen në numër dhe trajtimi me pagë do shtohen. Kjo merr imazhet satelitore dhe i përpunon ato me gjuhën e përdorshme dhe të kuptueshme nga çdo institucion. Bashkitë mund të përdorin imazherinë në një të afërme të afërt. Puna ka nisur, imazhet vijnë vazhdimisht. Është ASIG që po i përpunon ato dhe është edhe në varësi edhe të motit, por imazhet janë periodike. Katër herë në javë marrim imazhe”, tha Niko Peleshi.

Ai gjithashtu u pyet për numrin e të rinjve të cilët janë interesuar për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura, por për këtë Peleshi nuk dha një shifër konkrete pasi tha se ky numër është dinamik.

“Nuk kam një shifër, sepse është dinamike. Nuk kam një shifër, është proces, por edhe kjo formë marketingu që po bëjmë ka dhënë rezultat. Ai kontejner modern që është vendosur në qendër, është një nga metodat e marketingut me sloganin “bëhu versioni yt i mirë””, tha ai./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!