Vetëvendosje dhe LDK që u renditën në dy vendet e para në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, ende kanë mbetur në pikën ku është rënë dakord vetëm që qeveria e re të jetë më e vogël dhe më funksionale. Analistët thonë se kushtetuta i jep mandatarit vetëm 15 ditë kohë për të krijuar qeverinë e re dhe për ta miratuar në parlament me të paktën 61 vota.
Qytetarët e Kosovës votuan më 6 tetor dhe tashmë, kur kanë kaluar 14 ditë nga zgjedhjet, grupet punuese të dy partive fituese, LVV dhe LDK, vazhdojnë ende të diskutojnë konturet e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Gjithë çfarë dihet deri tani është se është rënë dakord për një kabinet të vogël qeveritar dhe jo më shumë se 12 ministri. LDK ka ngulur këmbë se do të presë çertifikimin e rezultatit zgjedhor për të vazhduar me procedurat.
Konstitucionalisti Riza Smaka ka thënë për gazetën Blic se ai ose ajo që merr nga Presidenti mandatin për formimin e qeverisë është ai ose ajo që përfaqëson partinë politike apo koalicionin politik më të madh që ka numrin e nevojshëm për formimin e qeverisë.
Mandatari ka afat 15 ditë që nga dita e mandatimit për ta hartuar listën e ministrave dhe për t’ia propozuar Kuvendit për miratim. Qeveria e re duhet të marrë të paktën 61 vota në Kuvend.
Nëse i pari të cilit i jepet mandati për krijimin e qeverisë, dështon, atëherë i jepet të dytit, i cili ka vetëm 10 ditë afat për të krijuar një qeveri të re dhe për ta miratuar në Kuvend. Në rast se edhe kjo do të dështonte, atëherë, Presidenti do ta shpërbënte Kuvendin dhe do të shpallte zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Ndërkohë Agnesa Haxhiu nga KDI thotë se brenda 30 ditëve pas shpalljes përfundimtare të rezultateve nga KQZ, presidenti duhet të thërras seancën konstituive të Kuvendit dhe nëse Presidenti nuk e bën këtë, atëherë seanca mund të thirret nga vet Kuvendi.
Kuvendi zgjedh Kryetarin dhe nënkryetarët e tij dhe Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Dhe pas konstituimit të Kuvendit, i hapet rrugë formimit të Qeverisë me propozim të kandidatit për kryeministër nga ana e Presidentit.
Zgjedhjet e 6 Tetorit nxorën të parën Lëvizjen Vetëvendosje, të dytën Lidhjen Demokratike dhe të tretën Partinë Demokratike të Kosovës./abcnews.al