Çfarë përmban rezoluta e Parlamentit Europian për Ukrainën ?

schedule17:27 - 1 Mars, 2022

schedule 17:27 - 1 Mars, 2022

Nga Erisa Zyka:

Edhe pse konsiderohet si një gjest simbolik, rezoluta e Parlamentit Europian për agresionin rus në Ukrainë ka një rëndësi të pamohueshme politike. Ajo përfshin për herë të parë kërkesën për t’i akorduar Ukrainës statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kjo ishte e paimagjinueshme më parë, ashtu siç ishin të paimagjinueshme 3 paketat e sanksioneve të Bashkimit Europian, ku përfshihen furnizimi me armë i Ukrainës dhe një sërë sanksionesh ekonomike për të ndaluar financimin e agresionit rus në Ukrainë dhe paralizimin e ekonomisë ruse, përfshirë sektorin bankar, energjitik dhe luftën kundër dezinformimit.

Lexo edhe: Parlamenti Europian: Pro statusit të kandidatit për anëtarësimin e Ukrainës në BE

Rezoluta e Parlamentit Europian kërkon nga institucionet evropiane të sigurojnë që Ukrainës t’i jepet statusi i kandidatit për në Bashkimin Europian. Ai specifikon se një procedurë e tillë duhet të kryhet sipas nenit 49 të Traktatit të Bashkimit Evropian dhe në bazë të meritës. Ndërkohë, në rezolutë thuhet se BE-ja duhet të vazhdojë të punojë drejt integrimit të Ukrainës në tregun e evropian  në përputhje me marrëveshjen ekzistuese të asocimit ndërmjet BE-së dhe Ukrainës. Eshtë e rëndësishme të theksohet, se aktualisht nuk ekziston “një procedurë e përshpejtuar” për akordimin e statusit të vendit kandidat dhe nuk dihet nëse në ditët në vijim institucionet europiane do të shkojnë drejt një opsioni të tillë. Por asgjë nuk përjashtohet, duke qenë se BE-ja brenda një jave ka rrëzuar ato që konsideroheshin “tabu” që prej themelimit të kësaj organizate.

Në rezolutë, eurodeputetët bëjnë thirrje për masa më kufizuese që synojnë dobësimin strategjik të ekonomisë dhe bazës industriale të Rusisë. “Importet e mallrave kryesore të eksportit të Rusisë, si nafta dhe gazi, duhet të kufizohen. Investimet e reja të BE-së në Rusi dhe investimet e reja ruse në BE duhet të ndalen. Qasja e të gjitha bankave ruse në sistemin financiar evropian duhet të bllokohet dhe Rusia duhet të përjashtohet nga sistemi SWIFT. Një seri sanksionesh, duke përfshirë heqjen nga sistemi SWIFT, duhet të shtrihen në Bjellorusi për mbështetjen e saj të drejtpërdrejtë të pushtimit rus të Ukrainës” janë disa nga pikat që përmban rezoluta.

Lexo edhe: Fjalimi emocionues i presidentit ukrainas para eurodeputetëve: Ditë tragjike, po luftojmë për lirinë

Teksti u bën thirrje vendeve anëtare që të përshpejtojnë furnizimin me armë mbrojtëse në Ukrainë, në përputhje me nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, i cili autorizon vetëmbrojtjen, individuale ose kolektive. Në këtë kuadër, rezoluta mbështet forcimin e bashkëpunimit të inteligjencës europiane me Ukrainën në lidhje me agresionin e vazhdueshëm.

Lidhur me ukrainasit e zhvendosur në vendet fqinje, Parlamenti mirëpret angazhimin e BE-së për të aktivizuar direktivën e mbrojtjes së përkohshme për të gjithë refugjatët ukrainas. “Përgjegjësia për pritjen e refugjatëve që vijnë në kufijtë e jashtëm të BE-së duhet të ndahet ndërmjet shteteve anëtare të Bashkimit Europian” thuhet në rezolutë.

Rezoluta i bën thirrje BE-së dhe vendeve aleate me skema qëndrimi për të ashtuquajturat “ vizat e arta” që të rishikojnë të gjithë përfituesit  e këtij statusi rezidence dhe të revokojnë statuset e dhëna për rusët e pasur dhe familjet e tyre, veçanërisht ato që lidhen me individët e sanksionuar, si dhe kompanive. /abcnews.al/