Çfarë ndodhi sot dhe pse u përjashtua Arta Vorpsi nga Gjykata Kushtetuese?

schedule17:03 - 15 Nëntor, 2019

schedule 17:03 - 15 Nëntor, 2019

Gjykata Kushtetuese pranoi Marsida Xhaferrllarin si gjyqtare Kushtetuese, duke penalizuar Arta Vorpsin, e cila, edhe pse e renditur e para në vlerësim, nuk është betuar përpara presidentit.

Gjykata tha se nuk mund të merrte në konsideratë rezolutën e Kuvendit për të mos e njohur Xhaferllarin, pasi ende nuk kishte kuorumin për të shqyrtuar në thelb konflikte institucionale.

Pa shkuar ende ora 8, kur fillon zyrtarisht puna në  administratë, si Arta Vorpsi ashtu edhe Marsida Xhaferllari, hynë mëngjesin e kësaj të premteje, në Gjykatën Kushtetuese.

Por, pas një dite të gjatë betejash politike dhe juridike, ca në parlament e  ca brenda gjykatës Kushtetuese, statusin e anëtares e ka marrë vetëm Marsida Xhaferllari.

Anëtarët e gjykatës, Vitore Tusha, Besnik Muci, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji që janë edhe të betuar përpara presidentit, u mblodhën për të shqyrtur përplasjen mes Vopsit e Xhaferllarit për të njëjtën karrige.

Sic ka mësuar ABC News, dy anëtaret e zgjedhura nga Kuvendi kanë mbështetur marrjen e mandatit nga Vorpsi, por Besnik Muci dhe Vitore Tusha janë shprehur se pa u betuar askush s’mund të nisë detyrën. Në këtë barazim votash, diferencën e ka bërë qëndrimi i Tushës, e cila, është edhe duke ushtruar kompetencat e drejtueses së kësaj gjykate.

Në fund, gjyqtarët kushtetues dolën me një deklaratë zyrtare, ku thonë se nuk mund t’i bindjen thirrjes për të mos e njohur si gjyqtare Xhaferllarin.

“Lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj. Për këtë arsye ajo nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik”.

Gjykata vijon se është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës.

Në këtë mënyrë, gjykata lë jashtë trupë Arta Vorpsin, sepse ajo nuk ka bërë betimin tek Presidenti, si gjithë anëtarët e  tjerë. Për të konfirmuar njohjen e Xhaferllarit si gjyqtare, Kushtetuesja publikoi në faqe, listën e gjyqtarëve të saj, të cilët i vihen në dispozicion Presidentit për të zgjedhur KED-në e re.

Aty shihet qartë se  të gjithë konsiderohen gjyqtarë, përfshirë dhe Xhaferllarin, e ku mungon vetëm Arta Vorpsi.

Kjo e fundit do të vijojë të punojë në institucion në zyrën e mëparshme si këshilltare ligjore, të paktën derisa kjo cështje të marrë zgjiddhje përfundimtare./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!