Çfarë mund të ndryshojë telefonata Blinken-Lavrov?

schedule14:51 - 1 Shkurt, 2022

schedule 14:51 - 1 Shkurt, 2022

Sekretari amerikan i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm rus kanë në plan të zhvillojnë sot një bisedë telefonike lidhur me krizën në Ukrainë.

Po sot kryeministri britanik Boris Johnson takohet në Kiev me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Britania, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera aleate e kanë furnizuar me armatime Ukrainën dhe zoti Johnson po shqyrton mundësinë e dyfishimit të trupave britanike në vendet baltike.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u takuan në Gjenevë më 21 janar dhe që atëhere të dy vendet kanë shkëmbyer përgjigje me shkrim për të bërë të qarta qëndrimet respektive.

Rusia tha se pala amerikane nuk ka dhënë përgjigje pozitive për shqetësimin e saj kryesor të sigurisë, që përfshin zgjerimin e NATO-s drejt lindjes, veçanërisht anëtarësimin e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Ukraina i kanë konsideruar këto kërkesa si një kufizim të papranueshëm të aftësisë për të vendosur vetë për interesat e tyre.

Shtetet e Bashkuara morrën mbrëmë një përgjigje me shkrim nga Rusia, por Departamenti i Shtetit nuk ka pranuar të bëjë të ditur përmbajtjen duke thënë se dëshiron t’i mbajë negociatat private.

Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar të vendosin sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë nëse Moska sulmon Ukrainën. Në vitin 2014 Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe thotë se nuk ka në plan ta sulmojë përsëri Ukrainën./ VOA