“Çfarë i bëre mamit”, dëshmitë e fqinjëve për ngjarjen e rëndë në Ballsh

schedule13:20 - 3 Janar, 2019

schedule 13:20 - 3 Janar, 2019

Vrasja e dyfishtë në Ballsh erdhi pas kërkesës që 31-vjeçarja i bëri bashkëshortit të saj për të shkuar tek prindërit që të takonte vëllain që vinte pas 10 vitesh në Shqipëri. Ndërsa autori në rrëfimin e tij në polici ka qenë kontradiktor, por ka shprehur pendesë për krimin që kreu në prani të dy fëmijëve të mitur.

Valbona Daci: “E dhimbshme dhe e paprecedentë është ngjarja e një nate më parë për banorët e lagjes “8 Shkurti”. Vrasja e dyfishtë ndodhur në katin e pestë të këtij pallati përveç përmasave të saj të rënda, ka shënuar edhe një ndër rastet e rralla të krimit në familje në Ballsh”.

Britmat e fëmijëve në sytë e të cilëve babai qëlloi me thikë nënën dhe motrën e saj, u dëgjuan në të gjithë hyrjen e pallatit. Fqinjët e mësuan ngjarjen e rëndë nga të vegjlit të cilët i drejtoheshin të atit me fjalët “çfarë i bëre mamit”.

“Vetëm kur dola në ballkon i kishte futur fëmijët në makinë edhe po hapte derën e tij. Kur u hap dera prapë fëmijët po qanin o babi çfarë i bëre mamit”, u shpreh një fqinje.

Vrasja e dyfishtë brenda familjes i ka tronditur të gjithë.

“Krim brenda familjes asnjëherë në Ballsh”, u shpreh një banore tjetër e pallatit ku jetonin autori dhe viktima.

“Ai punonte në Greqi me shkëputje, vinte kthehej. Kur vinte këtu dilnin bashkë. Më bukur mund të thoshe nga çiftet. Nuk e di se si i kanë pasur problemet”, u shpreh një fqinje tjetër.

I penduar, por kontradiktor në lidhje me motivin  autori i vrasjes së gruas dhe motrës së saj i tha hetuesve se kishte 1 vit që nuk fliste me prindërit e gruas. Për këtë arsye nuk pranoi që ajo të shkonte te prindërit në fshatin Drizar. Në fakt një natë më parë çifti bashkë më fëmijët kishin qënë për darkë te familja e viktimës me rastin e Vitit të Ri.

“Para vitit të ri e takova këtë Gazmendin vetë. Si po kaloni? Mirë tha ai. E kam çuar nusen se kishte 10 vjet e motra dhe i vëllai në Greqi. Do ta kalojmë andej Vitin e Ri”, u shpreh fqinja.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Ballsh kur Gazmend Musta në gjendje të dehur vrau me thikë gruan 31-vjeçare dhe motrën e saj 18 vjeçe. Kjo e fundit mendohet të ketë dalë në mbrojtje të së motrës, por autori nuk e kurseu duke e goditur edhe atë më thikë.

Shkak u bë kërkesa e gruas për të shkuar te prindërit pas darkës ku kishte ftuar familjen e saj dhe vëllain. Ky i fundit, emigrant kishte 10 vjet pa i takuar prindërit dhe motrat. 34-vjeçari Musta u dorëzua në polici menjëherë pasi kreu krimin e dyfishtë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!