Çfarë është “lufta hibride” e Rusisë dhe si duhet të reagojë NATO?

schedule14:10 - 26 Shkurt, 2021

schedule 14:10 - 26 Shkurt, 2021

Nga Mark Voyger, Center for European Policy Analysis

Termi “hibrid” vjen nga latinishtja, i përdorur në Perandorinë Romake për të përshkruar një fëmijë të lindur nga prindër me statuse sociale të ndryshme (për shembull një qytetar romak dhe një skllav). Më vonë, ai evoluoi për të përshkruar dukuritë, entitetet apo veprimet e natyrës së kombinuar, që nuk janë “të përziera” mekanikisht, por që janë organikisht të integruara, kohezive dhe të koordinuara.

Siç kuptohet nga NATO, “kërcënimet hibride kombinojnë mjetet ushtarake dhe jo-ushtarake, sekrete dhe të hapura, duke përfshirë dezinformimin, sulmet kibernetike, presionin ekonomik, vendosjen në terren të grupeve të armatosura paramilitare, dhe përdorimin e forcave të rregullta ushtarake. Metodat hibride përdoren për të mjegulluar kufijtë midis luftës dhe paqes, dhe në përpjekjen për të mbjellë dyshime në mendjet e popullatave të synuara”.

Përdorimi i parë akademik i njohur i termit “luftë hibride” daton që nga viti 2007, kur lejtnant kolonel Frank Hoffman shkroi mbi lindjen e luftërave hibride në kontekstin e Lindjes së Mesme – përkatësisht me kombinimin e mjeteve kinetike dhe jo-ushtarake të përdorura nga aktorë si Hezbollahu gjatë fushatës ushtarake të Izraelit të vitit 2006.

Kur Rusia nisi agresionin e saj kundër Ukrainës në vitin 2014, duke përdorur një sërë mjetesh jo-ushtarake apo të fshehta, nga fushatat e gjëra dezinformuese,deri tek mohimet zyrtare të tyre, NATO filloi që ta përdorë termin “luftë hibride”, për të përshkruar atë që dukej në atë kohë si një lloj i ri i luftës.

Në korrikun e vitit 2014, ndërsa po zhvilloheshin përpjekjet e fshehta ruse për të depërtuar dhe pushtuar rajonin e Donbasit, bashkësia e ekspertëve perëndimorë“zbuloi” një artikull të shkruar nga gjenerali rus Valeriy Gerasimov, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse në shkurtin e vitit 2013, me titull “Vlera e shkencës qëndron tek parashikimi”.

Artikulli përmbante një diagramë kurioze, që përshkruan përbërësit e luftës moderne, duke theksuar në veçanti, peshën që kanë mjetet jo-ushtarake dhe përhapja më e madhe e tyre sesa ato ushtarake (në raportin 4 me 1).

Lufta informative, identifikohej si elementi kryesor i luftës moderne në të gjitha fazat e saj, nga origjina e fshehtë e një konflikti, tek operacionet për forcimin e paqes në fund të saj. Analisti Mark Galeotti shpiku temrin “Doktrina Gerasimov”, një term që u përdor gjerësisht si qëndrim ndaj modelit rus të luftës hibride.

Më vonë Galeotti e rishikoi vlerësimin e tij të mëparshëm, dhe bashkë me analistë të tjerë të Rusisë, arritën në përfundimin se nuk ekziston një “doktrinë” e tillë në vetvete, përkundrazi vetë modeli përfaqëson pikëpamjet e Rusisë mbi atë atë se si duhet të jetë lufta në një shkallë globale gjatë shekullit XXI.

Në fakt “Modeli Gerasimov” kombinon elementë të të dyjave:ai ka një vlerë përshkruese (mbi atë çfarë perceptohet si luftë moderne nga udhëheqja ruse), po ashtu edhe një vlerë parashikuese – se si ushtria ruse duhet të studiojë elementet dhe efektet e saj, dhe zbatimin e tyre kundër kundërshtarëve të Rusisë.

Për më tepër, është bërë e qartë se Gerasimov nuk e ka shpikur vetë këtë “model” famëkeq. Mendimi i tij u ndikua shumë nga shkrimet më të fundit të teoricienëve ushtarakë rusë, si dhe nga strategët ushtarakë sovjetikë të viteve 1920 dhe 1930, si Svechin, Isserson dhe të tjerë. Që të gjithë ata e vunë theksin tek rëndësia e luftës politike dhe luftës së informacionit, si dhe në vendosjen e shpejtë dhe të fshehtë të trupave në terren, ashtu si edhe tek mungesa e deklaratave zyrtare të luftës në epokën moderne.

Megjithëse shumë aktorë kanë përdorur mjete jo-ushtarake gjatë gjithë historisë botërorë për të përçarë dhe mposhtur armiqtë e tyre, lufta hibride në shekullin XXI-të ka fituar një rëndësi të re. Ajo është rritur në rëndësi për t`u bërë “stili i zgjedhur i luftës” i fuqive më të dobëta, revizioniste, revanshiste, të cilat janë të etura që të ngrenë statusin e tyre në skenën botërore, por që nuk guxojnë të shkaktojnë një përballje konvencionale në shkallë të gjerë, pasi e dinë se kjo do të sillte një disfatë të rëndë ushtarake ose një luftë bërthamore globale.

Në vend të kësaj, ata zgjedhin një kombinim të mjeteve ushtarake dhe jo-ushtarake, për t’i përçarë dhe mposhtur kundërshtarët e tyre më të fortë, pa përdorur një luftë në shkallë të plotë. “Kutia e mjeteve” të luftës hibride përfshin elementë si lufta politike, diplomatike, ekonomike dhe financiare, ligjore (ligji), si dhe përpjekje socio-kulturore, me përdorimin e gjerë të infrastrukturës, shërbimeve inteligjente dhe grupeve kriminale.

Këto hapat të fshehtë dhe fillestarë të depërtimit, pasohen nga vendosja e operativëve të fshehtë ushtarakë, dhe nëse është e nevojshme, nga kontingjente të kufizuara ushtarake për ta detyruar kundërshtarin të nënshtrohet, dhe të bjerë dakord për një marrëveshje paqeje nën kushtet e agresorit hibrid, që do të vendosë në terren një “mision paqeruajtës”.

Operacioni hibrid në këtë lloj formati, mbështetet nga kërcënimi i nënkuptuar i vendosjes së armëve bërthamore taktike apo edhe strategjike,në mënyrë që të frikësojë qeveritë dhe të ndikojë mbi opinionin publik, përmes luftës informative, dezinformimit, mashtrim dhe propagandë që shërbejnë si “shtylla kurrizore” e përpjekjeve hibride.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet, se jo të gjitha kombinimet e mjeteve ushtarake dhe jo-ushtarake, duhet të cilësohen si “përpjekje hibride”.Të tilla duhet të cilësohen operacionet që anojnë shumë nga të qenit jo-ushtarake, dhe ku agresori hibrid përpiqet që ta mohojë përfshirjen e tij dhe të fshehë objektivat e tij të vërteta.

Ngjashëm, përpjekjet bashkëkohore perëndimore për t’iu kundërpërgjigjur, si “Doktrina e Betejës në Shumë Fusha” e SHBA-së, apo përdorimi i mjeteve jo-ushtarake nga ushtritë perëndimore (si operacionet informative, StratCom, inteligjenca, mjetet politike, diplomatike, ligjore dhe ekonomike) nuk duhet që të konsiderohet si një formë e “luftës hibride” nga Perëndimi, pavarësisht se mund të pretendohet kështu nga propaganda ruse.

Pushtimi hibrid i Rusisë në Ukrainë, kapi në fillim në befasi komunitetit trans-Atlantik, sidomos me kombinimin e shpejtësisë, kohezionit dhe koordinimit midis aktorëve ushtarakë dhe jo-ushtarakë të përfshirë në atë operacion. Por që nga viti 2014, NATO ka qenë në gjendje të reagojë dhe të përshtatet shpejt me zbatimin modern të këtyre formave të vjetra të luftës.

Gjithsesi “misioni nuk ka përfunduar”. Organizata duhet të vazhdojë qëtë luajë një rol aktiv në trajtimin e kërcënimeve hibride që vijnë nga aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë, dhe ajo duhet që ta bëjë në një mënyrë efikase dhe të vendosur, për hir të ruajtjes së rendit ndërkombëtar dhe arkitekturës së sigurisë trans-Atlantike.

Si një aleancë e shumë kombeve, secila me “fortesat” e saj dhe aftësitë e veçanta, duke kontribuar në sigurinë e përbashkët trans-Atlantike, NATO mund të përballet jo vetëm me fusha të ndryshme të luftës hibride të marra veçmas, por gjithashtu të sigurojë “një platformë sinergjie”, që synon forcimin e mbrojtjes “hibride” të shoqërive tona demokratike. Ajo duhet të luftojë kërcënimet ushtarake që vijnë nga jashtë, por edhe kërcënimet e brendshme, në të gjithë spektrin e fushave politike, sociale, ligjore, energjetike, ekonomike, inteligjente dhe kibernetike.

Natyrisht, shumë prej tyre, do të duhet të adresohen në bashkëpunim me organizata të tjera mbi kombëtare (si BE-ja), që kanë aftësi më të mira në aspektet jo-ushtarake, si për shembull ekonomia. Gjithsesi,NATO jep më të mirën e saj kur i bashkon dhe koordinon këto lloj përpjekjesh, në një përpjekje për të arritur një sinergji më të madhe që e përmirëson qëndrueshmërinë e anëtarëve të saj. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al