Çfarë e rrezikon sot lirinë e medias?

schedule11:20 - 4 Maj, 2021

schedule 11:20 - 4 Maj, 2021

Nga Jan-Werner Mueller Project Syndicate

Presidenca e Donald Trump u shpalos nga Shtëpia e Bardhë, duke nxitur “faktet alternative” mbi madhësinë e turmës që mori pjesë në inaugurimin e Trump në Capitol Hill, dhe më vonë me mbështetësit e tij të dhunshëm që shkruan “Vrit median!” në dyert e godinës së parlamentit.

Ndërsa Trump është zhdukur nga skena politike (të paktën tani për tani), media profesioniste mbetet e rrezikuar, dhe jo vetëm në Shtetet e Bashkuara. Organizata “Reporterët pa Kufij”, (RSF) e konsideron “të mirë” gjendjen e lirisë së shtypit në vetëm 12 vende të botës, pra më pak se kurrë më parë.

Kërcënimi më i qartë ndaj lirisë së medias në të gjithë botën buron nga regjimet autoritare, disa prej të cilave janë forcuar shumë duke e kufizuar jo pak hapësirën e medias, përmes pengimit të raportimeve mbi dështimet e liderëve politikë gjatë pandemisë.

Në Hungari, vend që ka rënë në vendin e 92-të në renditjen botërore të RSF-së sa i përket lirisë së medias, nga vendi i 89-të vitin e kaluar, qeveria ka kërcënuar median opozitare me ndjekje penale për shkak të “sabotimit” të përpjekjeve të qeverisë, për të luftuar përhapjen e Covid-19.

Infermierët dhe mjekët, e kanë të ndaluar të flasin me gazetarë të pavarur. Ndërkohë, regjimet autoritare po rafinojnë edhe teknika më pak të dukshme, për të kufizuar pluralizmin e mediave. Ata nuk u japin reklamat shtetërore (të cilat janë shtuar shpesh gjatë pandemisë) mediave që janë kritike ndaj tyre.

Ndërkohë ato u japin mundësi biznesmenëve që janë miqësorë me regjimin që të blejnë media, siç ka ndodhur në Turqi, ku oligarkët e ndërtimit, që kanë përfituar shumë nga bumi i fundit në këtë sektor, po paguajnë borxhet politike që kanë ndaj presidentit Recep Tayyip Erdogan duke blerë gazetat e pavarura.

Ndonëse faktorët që krijojnë regjime si ato në Hungari dhe Turqi, mund të jenë shumë të ndryshëm, modelet e qeverisjes që shihen duken shpesh të ngjashme, dhe kjo pasi regjime të tilla po mësojnë nga njëri-tjetri. Dhe ky fakt e vë në dyshim iluzionin tipik të pas Luftës së Ftohtë në mesin e liberalëve:jo se historia përfundoi vërtet në vitin 1989, por që vetëm demokracitë janë të afta të mësojnë.

Demokracitë bëjnë gabime gjatë gjithë kohës. Por virtyti i tyre i veçantë, sipas narrativës  standarde liberale, është se vetëm ato mund të korrigjojnë veten, dhe të mësojnë nga gabimet e tyre. Në të kundërt, regjimet autoritare nuk e kanë këtë mundësi dhe do të mbeten në vend numëro, apo të shemben siç ndodhi me Bashkimin Sovjetik.

Ndërsa regjimet autoritare nuk janë të pathyeshme, do të ishte naive të mendohej se shkatërrimi i tyre është i pashmangshëm, vetëm sepse shkëputen nga informacioni dhe nga të mësuarit. Në fakt, ato po zhvillojnë vazhdimisht politika të reja, si ligjet që shërbejnë për të shtypur shoqërinë civile.

Aty ku populistët e djathtë nuk janë ende në qeveri, ata janë bërë gjithsesi të aftë në ndërtimin e kundër-publikut në internet, me pjesëmarrësit në rrjet që i akuzojnë gazetarët se janë të njëanshëm, duke i bërë presion që të provojnë profesionalizmin e tyre.

Kjo sipas tyre bëhet duke i kushtuar vëmendje maksimale temave të preferuara nga e djathta. Imperativi i dëshmimit të objektivitetit, duke mbuluar të gjitha perspektivat e rëndësishme politike në mënyrë neutrale, funksionon mjaft mirë në rastin e një demokracie.

Por kur partitë kthehen kundër parimeve demokratike, një raportim i tillë bëhet ndihmës i tyre. Dhe SHBA-ja është vetëm shembulli më i qartë në këtë drejtim. “Polarizimi” paraqitet shpesh si një fenomen simetrik. Dikush nuk ka pse të pëlqejë idetë e senatorit amerikan Bernie Sanders apo kongresmenes Alexandria Ocasio-Cortez.

Por ato vështirë se mund të jenë figura të përfshira në minimin e demokracisë. Republikanët që refuzojnë të njohin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, po synojnë të minojnë demokracinë. Ata thonë se e bëjnë për të vendosur barazi mes palëve.

Por, siç ka theksuar kritiku i medias Jay Rosen, paraqitja e një realiteti asimetrik politik si

Simetrik, është në fakt një shtrembërim. Gazetarët mund të mos jenë më ato që gazetari britanik W.T.Stead i quajti në fund të shekullit XIX si “mbretër të pakurorëzuar, të një demokracie të arsimuar”.

Por ata po mësojnë të vendosin një vijë ndarëse midis mosmarrëveshjeve të zakonshme të politikave, dhe kërcënimeve ndaj lirive themelore nga të cilat varet puna e tyre. Nga ana tjetër, audiencat po mësojnë se vlerësimi i mediave është një sfidë komplekse.

Një media mund të jetë e paanshme, por mund të mos jetë e pavarur; pasi një pronar mund t’i ndryshonte gjërat sipas interesit të tij. Anasjelltas, mund të jetë pozitive që një gazetë të angazhohet në atë që Timothy Garton Ash e ka quajtur ”anshmëri transparente”.

Për shembull, interpretimi i lajmeve nga pikëpamja socialiste, ishte krejtësisht e pranueshme për të përditshmet në pronësi të partive socialdemokrate, për sa kohë që ishte e qartë për audiencat se çfarë po blinin, dhe pse po e bënin këtë.

Është pikërisht një transparencë e tillë, që po mungon sot në platformat e mëdha mediatike:të gjithë, nga përdoruesit e zakonshëm tek studiuesit shumë kompetentë, mbeten në errësirë mbi për mënyrën se si algoritmet e pronarit i klasifikojnë njerëzit në grupe, dhe u japin përparësi mesazheve të veçanta.

Kjo nuk duhet të na bëjë që të dënojmë format e reja të vetë-shprehjes siç janë mediat sociale. Përkundrazi, ne duhet të jemi të ndjeshëm ndaj mënyrës se si regjimet autoritare i përdorin këto platforma, për të simuluar mbështetjen dhe shtypur disidencën.

Disa platforma bazohen në një model biznesi, që përshkruhet më së miri si “kapitalizëm nxitës”:përdoruesit mbahen të angazhuar, duke i mbështetur me përmbajtje gjithnjë e më ekstremiste. Urrejtja paguan, pasi “angazhimi” mund të mbikëqyret, duke i orientuar edhe reklamuesit.

Ndërkohë urrejtja mund të formojë gjithashtu një publik, tek i cili siç e vuri re teoricieni social francez Gabriel Tarde në fillim të shekullit XX, mund të shfaqen turma radikale.

Dhe turma të tilla sulmojnë shpesh gazetarët.

Një arsye pse demokracitë si Gjermania janë rrëshqitur në klasifikim RSF, nuk është se qeveria po shtyp median, por sepse profesionistët që raportojnë për demonstrata kundër qasjes së kancelares Angela Merkel ndaj Covid-19, janë përballur gjithnjë e me më shumë dhunë.

Sigurisht, Facebook, Twitter dhe platforma të tjera të mediave sociale, nuk janë ekskluzivisht përgjegjëse për shkaktimin e ndjenjave të dhunshme. Por rregullimi i tyre në mënyrën më të rreptë, është siç tani edhe më thelbësor për mbrojtjen e lirisë së medias. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Jan-Werner Mueller, profesor i politikës në Universitetin e Prinstonit, SHBA, dhe anëtar i Institutit të Studimeve të Avancuara në Berlin.