Koronavirusi ka shkaktuar panik botëror me një numër të lartë të prekurish duke mos kursyer as jetët e njerëzve. Shifrat e personave të cilët humbin jetën janë në rritje dhe alarmante.
I ftuar në në “Mbrëmje në ABC” me Mirela Milorin Drejtori i Përgjithshëm i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu u shpreh se kjo situatë do të kthejë vëmendjen te studimet shkencore.
Gjatë bisedës në studio Allajbeu u shpreh se problemi më i madh që shfaqet, është se COVID-19, ka kapacitetin e mutacionit, dhe nuk dihet se çfarë mund të ndodhë.
Biseda në studio:
Mendoni që kur të kalojë kjo pandemi do të shohim tek vetja, ku jemi?
Allajbeu: Do të ketë një kthim të fuqishëm drejt shkencës së mjekësisë. Njeriu do të reflektojë, të gjithë vendet do të reflektojnë për të vendosur më shumë fonde më të gjëra drejt sistemit shëndetësor. E njëjta gjë do të jetë edhe për Shqipërinë. Këto ditë po e kuptojmë se sa e rëndësishme është për një vend, një shëndetësi e zhvilluar, dhe një mjekësi që parashikon një menaxhim krizash. Në Amerikë ka spitale që nuk përdoren dhe lihen enkas për rastet e epidemisë.
Përse ra në kolaps sistemi i Italisë?
Allajbeu: Kolapsi i Italisë dhe i Italisë së veriut në veçanti së pari ishte se u mor lehtë. Nuk e morën seriozisht këtë virus. Shembulli i parë ishte Italia, dhe të tjerë duke parë dramën e Italisë, masat i ndërmorën shumë më shpejt. Italia është vendi me popullsinë më të vjetër në Europë.
Çfarë e bllokon një sistem spitalor?
Allajbeu: Në këtë rast, e bllokon fluksi. Në momentin që nuk ndërmerr masa, virusi shtohet tek shumë njerëz. Ka një përqindje të caktuar se nga të infektuarit rreth 15% kanë nevojë për trajtim spitalor dhe nga këta, 20 % e tyre kanë nevojë për trajtim të zhvilluar me mbështetje, dhe pajisje oksigjeni. Dhe këtu është bllokimi, sepse Italia për 100 mijë banorë, kishte 14 respiratorë. Ky nuk është një numër i keq, për kushte normale. Në momentin që numri i pacientëve që kishin nevojë për frymarje të asistuar ishte shumë më i madh, ky sistem nuk e përballoi dot. Ata u detyruan të bënin përzgjedhje në numrat e njerëzve. Por sot që po kthjellohen gjërat, shohim se ky virus përsëri është i mëshirshëm, sepse merr njerëzit në moshë shumë të avancauar, dhe ndërmjet tyre, njerëz që kanë disa sëmundje të tjera bashkangjitur.
Mendoni që do të ketë ndryshime të tjera, mutacione të tjera?
Allajbeu: Problemi i madh sot është se ky virus ka kapacitetin e mutacionit, dhe nuk dihet çfarë do të ndodhë në vazhdim, dhe çfarë mund të ndodhë vitin tjetër. Kërkimet do të zgjerohen shumë, dhe fondet për trajtimin e viruseve në të ardhmen do të jenë më të mëdha. Ky është një rrezik që askush nuk mund të japë siguri sot.
Spekulime se është virus laboratorik?
Allajbeu: Çdo 20-30 vjet ka pasur një virus të tillë, mbase jo të kësaj përmase. Por gripi me mutacionet e tij, ka ndikuar gjithmonë popullatat dhe ka vdekur miliona njerëz.
Të gjithë sot po përpiqen që këtë ta trajtojnë. Nëse është laboratorik çdokush kupton se nuk mund të luajë më me këtë.
Besoj që ky, si viruset e tjera, do të trajtohet, vaksina do të dalë, dhe do ti kthehemi normalitetit.
Mendoni se pas kësaj që po kalon njerëzimi do të nxjerrë një mësim, dhe ndoshta do të rishikojë mënyrën e rendit ku jetojmë?
Allajbeu: Sot nuk mund të vendosësh dot kufij. Ajo që mendoj se do të bëjë njerëzimi, është një bashkim më i madh.
Nëse një virus i kalon njeriut, ai më pas është i të gjithë njerëzve. Çdo gjë që shtetet duhet të bëjnë në të ardhmen, duhet të jenë fonde të caktuara, për të ndaluar përhapjen e virusit, që në fazat e para, dhe të trajtimit, ose të gjitha sëmundjeve të tjera ngjitëse.
Nuk besoj që vendet do të shtrengojnë kufijtë, këto janë masa për menaxhimin e krizës. Tendenca e të gjithë njerëzimit, është për tu bashkuar, dhe kësaj nuk i shpëtojmë dot.
Mendoni që njerëzit do ta kthejnë vëmendjen tek njerëzorja?
Allajbeu: Mendoj që njerëzve do tu shërbejë, atyre që do të duan, tu shërbejë. Nuk besoj shumë se do ti ndryshojë tendenca e jetësës së njerëzimit. Përsëri ne harrojmë shumë shpejt.
Ne sot nuk jemi pjesë e trajtimit të rasteve me COVID-19, por një nga spitalet tona, është i përgatitur që, në momentin që Ministria e Shëndetësisë do të bëjë thirrje, ne do ta vendosim në dispozicion, deri sa të ketë nevojë. Në spitalet e tjera pranojmë raste urgjence, duke marrë të gjitha masat për ruajtjen e stafit, dhe për identifikimin e pacintëve potencialë, që mund të jenë me COVID dhe mund të infektojnë.
Më tej Allajbeu u shpreh se, sot po shohim një përqasje sakrifikuese, dhe asnjë nga stafi nuk ka shprehur pakënaqësi për tu larguar nga kjo luftë.
/abcnews.al