Temperaturat kanë arritur pikun e tyre dhe i nxehti ndikon drejtëpërdrejt te shëndeti i çdo personi.
I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, kardiologu i Spitalit Amerikan 3, doktor Edjon Hajro ka treguar fillimisht shenjat që shfaqen nga i nxehti.
“Kur përballesh me temperaturat e larta fillojnë sindromat e të nxehtit. Janë disa shenja që shfaqen. Ato fillojnë me këputje dhe shkojnë te goditja nga i nxehti. Në qoftë se je në stadin e këputjes, hidratimi, përdorimi në mjaftueshmëri i kripës mund t’i kthejë mbrapa këto. Ajo varet dhe me periudhën që ne biem në kontakt me temperaturat e nxehta”.
Më tej, Hajro ka sugjeruar se çfarë duhet të ketë parasysh çdo person kur del nga shtëpia në pikun e vapës.
“Në qoftë se janë stadet e para, normalisht duhet të ketë parasysh hidratimin. Gjithashtu është shumë e rëndësishme veshja, sa më e lehtë, ngjyrat e hapura, përdorimi i syzeve, kapeles, përdorimi i kremit të diellit, ushqimet duhet të jenë sa më të lehta. Në qoftë se pastaj një pacient përjeton goditjen nga i nxehti, atëherë është një emergjencë. Patjetër, menjëherë duhet marrë në telefon menjëherë urgjenca. Personi duhet të merret nën hije, duhen hequr peshat e tepërta dhe menjëherë duhet të bëhet diçka për t’i ulur temperaturën, duhet ujë i ftohtë ose borsa me ujë, i hidhet ujë sipër, sidomos tek koka, sqetulla dhe tek rrëzët e kofshës”./abcnews.al