Çfarë duhet të bëjë Europa nëse Rusia përdor armë bërthamore?

schedule17:33 - 30 Shtator, 2022

schedule 17:33 - 30 Shtator, 2022

Nga Tomi Huhtanen, euobserver

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Ndërsa Rusia po has pengesa të shumta dhe kundërsulmimi i Ukrainës vazhdon, edhe shqetësimet për lëvizjen e radhës të presidentit rus Vladimir Putin vazhdojnë. Ai nuk duket se ka shumë opsione, madje edhe përdorimi i mundshëm i armëve bërthamore nuk është plotësisht jashtë tryezës.

Edhe pse përpjekjet ushtarake ruse kanë qenë në rënie që nga ditët e para të luftës, ekziston ende mundësia që Rusia të përdorë arsenalin e saj bërthamor në Ukrainë për të ndalur mbështetjen ushtarake perëndimore dhe për t’i dhënë Rusisë epërsinë psikologjike.

Çfarë do të ndodhte nëse Rusia do të niste një sulm bërthamor?

Me shumë mundësi do të ishte një sulm taktik, me një raketë bërthamore më të vogël. Dikush mund të supozojë se si rezultat, Ukraina do të detyrohej të ndalonte aktivitetin e saj ushtarak dhe pas kësaj do të vazhdonin negociatat.

Rusia mund të supozojë se Perëndimi do të refuzojë të mbështesë Ukrainën ushtarakisht, nga frika e një konflikti bërthamor në rritje.

Por pasojat do të ishin shumë të vështira për t’u parashikuar dhe ka shumë të ngjarë që ato do të ishin shumë të pafavorshme për Rusinë. Si fillim, sulmi bërthamor i Rusisë nuk do të shihej si një shenjë fuqie, por më tepër si një shenjë dobësie ekstreme; si një lëvizje përfundimtare, e dëshpëruar.

Duke lënë mënjanë faktin që NATO do të ndihej e detyruar të reagonte ndaj sulmit bërthamor rus dhe të mbante një qëndrim edhe më të fuqishëm kundër Rusisë, është e dyshimtë që Ukraina do të ndalonte papritur kundërsulmet, raporton abcnews.al.

Meqenëse vija e frontit është shumë e gjatë dhe përqendrimet e grupeve janë të kufizuara, një sulm taktik bërthamor nuk do të arrinte shumë më tepër se sa mundet aktualisht me një luftë konvencionale ndoshta vetëm duke çmobilizuar menjëherë një ose dy brigada.

Përveç kësaj, do të ishte shumë e vështirë për të kontrolluar pasojat e rrezatimit në ditët në vijim, duke lënë trupat dhe territorin e Rusisë potencialisht viktima të ekspozimit.

Përgjigja ndërkombëtare kundër Rusisë do të ishte e fortë dhe e ashpër, veçanërisht pasi vetë territori i Rusisë nuk është i rrezikuar. Ndoshta vendi rus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të sfidohej dhe shumë vende që aktualisht mbështesin në heshtje Rusinë, si Kina, mund të rimendojnë pozicionin e tyre.

Sanksionet nga perëndimi do të bëheshin edhe më ekstreme. Më e rëndësishmja, i gjithë rregullorja e pas Luftës së Dytë Botërore për mospërdorimin e armëve bërthamore do të dilte jashtë funksionit.

Për Ukrainën dhe çdo vend tjetër në kufi me Rusinë, mesazhi do të ishte i qartë; Rusia është një kërcënim ekzistencial dhe nëse nuk ia del, do të përdorë armë bërthamore.

E vetmja përgjigje logjike do të ishte që vendet më të vogla fqinje të kenë akses të lehtë në kapacitete të ngjashme reagimi.

Mësimi i historisë pas Luftës së Dytë Botërore

Suedia kishte programin e saj të armëve bërthamore pas luftës dhe hulumtimet e fundit tregojnë se Suedia ishte më pranë zotërimit të armëve bërthamore sesa mendohej më parë.

Gjithashtu, në vitet 1950, qeveria e kancelarit gjerman Konrad Adenauer po reflektonte mbi idenë e prodhimit të një bombe me Francën dhe Italinë. Si pasojë, në nëntor 1957, ministri gjerman i mbrojtjes Franz Josef Strauss nënshkroi një marrëveshje të fshehtë me homologët e tij nga Parisi dhe Roma.

Qëllimi i tyre ishte ta bënin Europën të pavarur nga ombrella bërthamore amerikane.

Ata hoqën dorë nga ideja më vonë për shkak të Charles de Gaulle, i cili donte që Franca të kishte armët e veta bërthamore. Ideja për një bombë të përbashkët europiane nuk fitoi kurrë mbështetje, raporton abcnews.al.

Christoph Heusgen, këshilltari i politikave të sigurisë i ish-kancelares gjermane Angela Merkel, propozoi që Gjermania të fillonte një dialog strategjik me Francën, i fokusuar në nëse dhe si europianët mund të kontribuojnë së bashku në parandalimin bërthamor kundër Rusisë.

Sipas tij, qeveria gjermane dhe vendet e tjera anëtare të BE-së mund të marrin pjesë financiarisht në programin francez të armëve bërthamore, në këmbim të planifikimit dhe vendosjes së armëve atomike franceze diku tjetër në BE.

Propozimi i Presidentit Macron në vitin 2020 hapi rrugën për një zhvillim të tillë. Për më tepër, lidhja e MB-së në program do ta vuloste Mbretërinë e Bashkuar në mbrojtjen e përbashkët europiane, e cila tashmë është bërë shumë e prekshme në kontekstin e luftës në Ukrainë.

Sot, ajo luftë vazhdon dhe një sulm i mundshëm bërthamor nga Rusia mbetet një mundësi fatkeqe.

Tani për tani dhe për sfidat e saj të ardhshme, Europa duhet të arrijë në konkluzione, të analizojë se çfarë do të thotë kërcënimi për sigurinë e kontinentit dhe çfarë duhet të bëjnë vendet europiane për të parandaluar një sulm bërthamor.

/abcnews.al