Çfarë do të ndodhë nëse dështojnë negociatat reja mbi programin bërthamor të Iranit?

schedule17:28 - 25 Shtator, 2021

schedule 17:28 - 25 Shtator, 2021

Nga Bijan Ahmadi, National Interest

Pas raportit më të fundit nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) mbi programin bërthamor të Iranit, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, deklaroi se SHBA-ja po i afrohet me shpejtësi pikës kritike, kur një rikthim në Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA), nuk do të prodhonte më mos-përhapjen e armëve bërthamore, siç e parashikonte marrëveshja origjinale e vitit 2015.

Takimet e fundit në Teheran midis drejtorit të përgjithshëm të IAEA-s dhe zyrtarëve iranianë, adresuan shqetësimet akute të mbikëqyrësit bërthamor në lidhje me pajisjet e monitorimit, dhe kanë shmangur një krizë që mund të kishte hedhur në erë negociatat diplomatike mbi JCPOA.

Gjithsesi, mosbesimi reciprok dhe kompleksiteti i mosmarrëveshjeve midis Teheranit dhe Uashingtonit, e kanë bërë shumë të vështirë arritjen e një kompromisi për të ringjallur marrëveshjen e 6 viteve më parë. Por pavarësisht sfidave, një zgjidhje diplomatike është ende opsioni më pak i kushtueshëm për të dyja vendet, për të mos përmendur fqinjët e Iranit në Lindjen e Mesme.

Që nga inaugurimi në detyrë i presidentit të ri iranian Ebrahim Raisi, administrata e re ka zbatuar politikën e “paqartësisë taktike” në lidhje me planet e saj mbi JCPOA. Nga njëra anë, Raisi ka theksuar vazhdimisht se dhënia fund e sanksioneve ndaj Iranit, është një prioritet për administratën e tij.

Ministria e Jashtme iraniane, njoftoi ditët e fundit se Teherani do të rikthehet shpejt në negociatat e Vjenës. Nga ana tjetër, administrata e Raisit nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me pozicionin e saj përballë raundeve të mëparshme të negociatave apo pritshmërive, dhe kërkesave të saj në bisedimet e ardhshme.

Për më tepër, vendimi për t’i dhënë fund luftës 20-vjeçare, të pakuptimtë dhe në dukje të pafundme të Amerikës në Afganistan, e ka vënë administratën e Joe Biden nën një presion të jashtëzakonshëm politik. “Skifterët” në Uashingtonit, që e kundërshtuan tërheqjen e SHBA -së kanë fajësuar Biden për rivënien e Afganistanit në kontrollin e talebanëve, duke e portretizuar atë si një udhëheqës të dobët, i cili e ka dëmtuar besueshmërinë e SHBA-së në nivel global por edhe me aleatët e saj.

Të tjerët, përfshirë edhe demokratët, e fajësojnë administratën aktuale për dështimin në Aeroportin e Kabulit, me menaxhimin e dobët të operacionit të evakuimit. Në mesin e këtyre kritikave, popullariteti i presidentit Biden ka shënuar nivelin më të ulët, dhe duke pasur parasysh zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor 2022, mbetet e paqartë nëse administrata do të ketë kapitalin politik, dhe lëre më pastaj vullnetin apo imagjinatën e kërkuar, që t’i ofrojë Iranit llojin e garancive, që do të ishin të nevojshme për të ringjallur marrëveshjen e vjetër.

Nga perspektiva iraniane, vlera e JCPOA është zbehur ndjeshëm vitet e fundit. Ndërsa ekonomia iraniane mbetet në një gjendje të rëndë, dhe vendi mezi po e menaxhon pandeminë, establishmenti politik beson se një rikthim tek JCPOA, pa disa garanci konkrete për lehtësimin efektiv të sanksioneve, mund të çojë përfundimisht në një skenar të ngjashëm si ai që përballoi Irani me daljen e njëanshme nga marrëveshja të administratës Trump.

Irani nuk ka gjasa që të heqë dorë nga ndikimi i tij i shtuar në fushën bërthamore, pa siguruar një zgjidhje të qëndrueshme të negociuar, e cila të jetë e zbatueshme dhe në përgjithësi e detyrueshme për palët. Llogaritje të tilla divergjente politike dhe strategjike nga ana e Teheranit dhe Uashingtonit, e bëjnë shumë të vështirë ringjalljen e JCPOA në bisedimet e Vjenës.

Ndonëse JCPOA mbetet opsioni më i mirë i disponueshëm nga pikëpamja e mos-përhapjes së armëve bërthamore, është e paqartë nëse të dyja palët janë të gatshme të bëjnë lëshimet e nevojshme për të arritur një kompromis brenda parametrave të tij. Por për momentin, alternativat ndaj marrëveshjes mbeten të pakta dhe të largëta, të kufizuara në fushëveprim, dhe shumë të kushtueshme për të dyja palët.

Alternativa më pak e kushtueshme për JCPOA, duket të jetë një marrëveshje e kufizuar dhe e përkohshme brenda kuadrit të P5+1, si një masë ndaluese për të ndalur përparimin bërthamor të Iranit në nivelin e tij aktual, në këmbim të lehtësimit selektiv të sanksioneve mbi eksportet e naftës, dhe për qasjen e Iranit tek rezervat e tij valutore jashtë vendit.

E ngjashme me marrëveshjen e përkohshme të arritur midis P5+1 dhe Iranit në nëntor 2013, kjo marrëveshje e re e kufizuar do t’i jepte më shumë kohë Iranit dhe Perëndimit për të negociuar një zgjidhje gjithëpërfshirëse, duke parandaluar një përshkallëzim të plotë të krizës.

Një marrëveshje e tillë e përkohshme do të ishte më e lehtë që administrata Biden ta “shiste” në Uashington. Ajo mund të pretendojë se ka “ndalur orën” në programin bërthamore Iranit duke bllokuar rrugën e tij drejt prodhimit të armëve bërthamore, duke ruajtur shumicën e sanksioneve, dhe parandaluar një tjetër konflikt në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë në kampin iranian, administrata Raisi mund të pretendojë se e ka përmbushur premtimin e saj për lehtësimin e sanksioneve, pa hequr dorë nga ndikimi bërthamor i vendit, duke i dhënë kësisoj Perëndimit një motivim të vërtetë për ta mbajtur fjalën.

Të dyja palët po veprojnë nën objektiva të qartë strategjikë. Nga një analizë thjesht kosto-përfitim, nëse negociatat bërthamore dështojnë krejtësisht, Irani do ta zgjerojë programin e tij bërthamor, dhe do të shkurtojë kohën e prodhimit të armës atomike.

Zgjerimi i mëtejshëm i pakufizuar i kapaciteteve të pasurimit të Iranit dhe rezervave të tij, do ta kthejnë shumë shpejt Iranin në një shtet bërthamor. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë qenë të durueshëm me zgjerimin e programit bërthamor të Iranit muajt e fundit, pasi nuk duan që ta bllokojnë rrugën e kthimit tek JCPOA.

Por nëse prishen negociatat, atëherë ka të ngjarë që ata të ndërmarrin hapa për t’i bërë presion Iranit që të ndalojë zgjerimin e kapacitetit të tij bërthamor. Sipas këtij skenari, administrata Biden, me mbështetjen e aleatëve të saj evropianë, do të përpiqet të krijojë një koalicion ndërkombëtar kundër Iranit në IAEA dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB -së, i ngjashëm me atë që nisi Obama në vitet para arritjes së marrëveshjes bërthamore me Iranin në vitin 2015.

Por këtë herë, është e paqartë nëse Kina dhe Rusia do ta ndjekin Shtetet e Bashkuara në vendosjen e sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit. Teksa ka qenë kohët e fundit më e zëshme kundër zgjerimit bërthamor të Iranit, Moska ka njoftuar se do të votojë kundër çdo rezolute zyrtare në IAEA kundër aktivitetit bërthamor iranian.

Ndërkohë, Kina e ka fajësuar vazhdimisht Uashington për dështimin e JCPOA. Ndërsa Kina dëshiron të pengojë pajisjen e Iranit me armë bërthamore, marrëdhëniet dypalëshe Uashington-Pekin janë përkeqësuar ndjeshëm që nga koha e Obamës në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë Pekini mund të përfitojë nga zgjatja e konfliktit të vazhdueshëm bërthamor midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, gjë që do të ruante fokusin e Uashingtonit mbi Lindjen e Mesme dhe do ta shpërqendronte atë nga konkurrenti i tij kryesor strategjik në Azinë Lindore. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Bijan Ahmadi, është bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i Institutit për Paqe dhe Diplomaci.