Negociatat. Këtu pritet të jenë të fokusuara diskutimet në seancën plenarë të ditës së sotme, e cila do të zhvillohet pa protagonizmin e kryeministrit Edi Rama. Ai ndodhet në Luksemburg ku po përpiqet të marrë një PO nga krerët e shteteve të Bashkimit Europian.
Megjithatë një pikë e nxehtë diskutimesh do të jenë edhe problemet e brendshme të kryesimit brenda grupit parlamentar demokrat.
“Në tavolinën e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi janë dy shkresa. Një që mban firmat e shtatë deputetëve demokratë që kërkojnë të shkarkojnë rudina Hajdarin dhe të bëjnë Korab Litën kryetar dhe një shkresë tjetër e gjashtë deputetëve të pavarur që kërkojnë t’i bashkohen grupit të Rudina Hajdarit”, raportoi nga Kuvendi gazetarja Esiona Konomi.
Në rend dite është edhe buxheti faktik 2018 dhe votimi i një projektligji të debatueshëm i agjencisë shqiptare të investimeve, një agjenci që sipas ekspertëve dhe opozitës do përbëjë një rrezik real për ngritjen e çmimit të karburanteve në Shqipëri.
Gjithashtu pritet që opozita parlamentare të ngrejë si çdo seancë parlamentare kërkesën e saj për ndryshimin e sistemit zgjedhor./abcnews.al