Pavarësisht kërkesës publike nga kryeministri Rama, as policia dhe aq më pak prokuroria nuk kanë dalë të japin informacione mbi fatin e “mbretit të lojërave të fatit”, Ervis Martinaj edhe më shumë se dy muaj pas zhdukjes së tij.
Gjatë ditës së sotme, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku tha se policia ishte duke punuar për Martinajn duke mos dhënë më detaje të tjera, pavarësisht se më herët Rama kishte kërkuar nga institucionet shtetërore që “t’i jepej fund kësaj telenovela!”.
“Ne jemi duke punuar. Kemi struktura që po ndjekin rastin jemi në ecuri të procesit. Nuk kam asgjë më tepër për të deklaruar.” tha Rrumbullaku.
Zhdukja e Martinajt duket se ka përfshirë drejtpërdrejtë edhe strukturat e policisë pasi vetë efektivi i Forcave Operacionale Jeton Lami shërbente si badigard dhe shofer i tij.
Krahas kësaj, gazetarët e kronikës kanë raportuar më herët se Lami është “rrëfyer” te Gledis Nano mbi pagesat që merrnin shefat e komisariateve nga Martinaj pak para se kreu i Policisë së Shtetit të dorëhiqej.
Zhdukja e Martinajt nuk i ngjana një zhdukjeje rutinë të personazheve të krimit apo qytetarëve të thjeshtë për shkak të lidhjeve të tij të forta me Policinë e Shtetit, por edhe aktorëve të fuqishëm në tregun e lojërave të fatit që do të ishin të interesuar për nxjerrjen e tij nga loja, siç deklaroi më herët ne Abc Live gazetari Artan Hoxha. /abcnews.al