Largimet e punëtorëve/ Qeveria: Kurum, e detyruar të japë shpjegime

schedule12:21 - 28 Gusht, 2024

schedule 12:21 - 28 Gusht, 2024

Kompania Kurum e argumenton largimin e rreth 500 punonjësve me faktin e rritjes së kostove dhe vështirësive ekonomike. Por shifrat e dorëzuara në institucionet shtetërore tregojnë të kundërtën e asaj që pretendon kjo kompani. Nga të dhënat konfirmohet se “Kurum” është një ndër kompanitë që ka rezultuar me fitimet më të larta në dy vitet e fundit.

Lidhur me këtë çështje, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se do të vazhdojnë monitorimet, pasi është me rëndësi të madhe sociale dhe ka të bëjë drejtpërdrejt me  500 familje shqiptare.

“Unë këtë pyetje e konsideroi më të rëndësishme se pyetjet e tjera, sepse ka të bëjë me 500 familje shqiptare, njerëz që kanë kontribuar në industrinë e metalurgjikut dhe është një ngjarje që ka ndodhur vetëm dy ditë më parë. Po analizojmë situatën. Ka pasur një njoftim të Kurum pak ditë më pare në bashkinë e Elbasanit, për vështirësi sa i përket operimeve.

Por ju e dini shumë mirë që qeveria shqiptare ka konflikt me Kurum që janë ndjekur juridikisht dhe vetëm para dy ditësh ne kemi pasur një çështje gjyqësore. Ne do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën dhe ne e kemi në fokus dhe në ditën në vazhdim do ta kemi sepse na shqetëson.

Patjetër që kontrata rishikohet por duhet të shohim dhe cilat janë vështirësitë, sepse janë çështje që duhen parë thellësisht. Qeveria Rama nuk ka përtuar kurrë t’i hyj detajeve”, u shpreh ndër të tjera Balluku./abcnews.al