Çështja Çinari: Përfundon gjyqi në CAS, Partizani del me njoftim

schedule13:57 - 15 Dhjetor, 2020

schedule 13:57 - 15 Dhjetor, 2020

Partizani kishte hapur një proces gjyqësor në CAS kundër NK Istra, FIFA-s, Vllaznisë dhe Erald Çinarit, për shkak se FIFA kishte vendosur t’u mbyllte merkaton dhe i kishte gjobitur me 83 mijë euro (gjobë që duhet të paguhet së bashku me futbollistin), pasi shkodrani kishte firmosur dy kontrata.

Gjyqi është zhvilluar sot dhe Partizani ka dalë me njoftim dhe bën me dije se vendimi do të publikohet brenda muajit dhjetor: “Pranë KAS të Lozanës është zhvilluar sot online, si pasojë e situatës COVID 19, seanca e programuar gjyqësore për çështjen Erald Çinari. Në komunikimin me panelin e KAS palët kanë paraqitur të gjitha pretendimet e tyre, si dhe janë dëgjuar deklaratat e dëshmitarëve të përfshirë në këtë proces.

FK Partizani është përfaqësuar në këtë seancë gjyqësore online, nga Drejtori i Përgjithshëm Olsi Rama, si dhe avokati i mirënjohur Juan de Dios Crespo Peres dhe zyra e avokat Antonio Conte. Ky grup ka punuar intensivisht përgjatë gjithë kësaj periudhe për përgatitjen sa më efikase të mbrojtjes dhe demonstrimit të pafajësisë sonë. Pritet që vendimi nga KAS të merret brenda muajit dhjetor”.

NJOFTIM PËR MEDIA

Pranë KAS të Lozanës është zhvilluar sot online, si pasojë e situatës COVID 19, seanca e programuar…

Posted by FK Partizani Albania on Tuesday, December 15, 2020

HISTORIA – Gusht 2018, Erald Çinari kaloi në Spanjë te Alaves dhe këta të fundit e transferuan në Kroaci te NK Istra, klub me të njëjtët pronarë. Vllaznia nuk lejoi këtë lëvizje dhe sulmuesit anësor iu desh të kthehej pas dhe shkodranët e shitën te Partizani.

Firmosja e kontratës me të kuqtë rezultoi fatale, pasi NK Istra e çoi çështjen në FIFA dhe u morën dënimet e përmendura më lart.  Gjithsesi ka shumë prapaskena në këtë çështje, zbuluar nga vetë ish-administratori i Vllaznisë, Suad Lici.

“Është një histori si nëpër filma. Unë veproj duke u bazuar te shkresat. Më kanë bërë një kërkesë për lejen e kalimit për lojtarin Eraldo Çinari, ku ndër to ishte edhe marrëveshja që dikur klubi Vllaznia kishte rënë dakord me Alavesh”, tregonte në gusht të vitit 2018 Lici, në një intervistë për “Panorama Sport”.

 

Suad Lici

Mes të tjerash ai zbulonte shumë parregullsi: “Sapo kam parë firmën e kryetares së Bashkisë, i kam çuar shkresë përcjellëse dhe më ka kthyer përgjigje zyrtare që nuk ka pasur asnjë lloj marrëveshje me klubin spanjoll.  Dokumente zyrtare janë vetëm ato që kam komunikuar unë me klubin spanjoll dhe kroat që i kam bërë të ditur çdo situatë në detaje. U kam bërë të ditur se lojtari ka klauzolë 100 mijë euro.

Kryetarja e Bashkisë thotë se firma dhe i gjithë dokumenti i marrëveshjes është i falsifikuar. Numri i llogarisë bankare të klubit të futbollit Vllaznia figuron në Itali, gjë që është krejtësisht absurde. Është një lojë shumë e pisët. Klubit spanjoll ia kemi vendosur në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe klauzolat e kontratës.

Shkresa që pretendojnë spanjollët se është arritur marrëveshja është pa numër protokolli, kështu që është lehtësisht e verifikueshme që shkresa nuk ka dalë nga klubi Vllaznia. Pavarësisht pretendimeve, të gjitha janë të verifikueshme. Edhe familjarët janë viktimë. Nuk e di si ka ndodhur e gjithë kjo histori. Klubi spanjoll pretendon se ka derdhur 20 mijë euro në numrin e llogarisë që ndodhet në Itali.

 

Ne nuk e dimë nëse janë derdhur dhe kush i ka marrë ato para. Spanjollët pretendojnë se u ka shkuar një e-mail nga klubi Vllaznia që jemi dakord për shifrën e 20 mijë eurove. Ky dokument më ka ardhur mua në dorë dhe në momentin që kam parë firmën e kryetares së Bashkisë i kam bërë shkresë përcjellëse dhe ajo është habitur kur e ka parë.

Kryetarja e Bashkisë ka dërguar vetëm një dokument ku thotë se jemi të gatshëm si klub që të negociojmë duke u shpjeguar atyre kontratën, pikat dhe detyrimet që duhet të paguhet për lojtarin në fjalë. E gjithë kjo për të mos u bërë pengesë për lojtarin. Çdo gjë është e thjeshtë dhe e qartë”, tregonte Lici, ndërkohë që prej atëherë nuk u zbulua asgjë çfarë kishte ndodhur.

Istra e mori në ekip Çinarin, i cili më pas u detyrua të kthehet në Shqipëri. Vllaznia më pas gjeti marrëveshjen me Partizanin për shumën e 40 mijë eurove, kjo e konfirmuar përmes një deklarate të postuar nga klubi shkodran në kanalet zyrtare të komunikimit. /abcnews.al

KOMUNIKATE PER SHTYP
KF Vllaznia përmes kësaj komunikate për shtyp dëshiron të sqarojë publikun në lidhje me situatën e…

Posted by KF Vllaznia – Faqja Zyrtare on Tuesday, August 14, 2018

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!