Kryeministrja Theresa May ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve britanikë lidhur me marrëveshjen Brexit me BE-në. Në një letër drejtuar kombit, ajo shkruan se ky është akordi më i mirë i mundshëm për vendin dhe se do të shënojë një moment pajtimi dhe uniteti.
Në një “Letër drejtuar kombit” të publikuar përpara samitit të Bashkimit Evropian, kryeministrja britanike Theresa May kërkon mbështetjen e popullit të saj për marrëveshjen me Brukselin për Brexit. Sipas asaj që raporton BBC, ajo deklaron se kjo është një marrëveshje që do t’i lejojë Mbretërisë së Bashkuar një “të ardhme më të ndritshme”.
Kur vitin e ardhshëm Britania të largohet nga Bashkimi Europian, shkruan Kryeministrja, vendi do të jetojë “një moment rinovimi dhe pajtimi” dhe fillimi i “një kapitulli të ri në jetën tonë kombëtare”. Një moment, vazhdon May, “që duhet të shënojë pikën ku i lëmë përgjithmonë etiketat e ‘daljes’ dhe ‘qëndrimit’, dhe do të bëhemi edhe njëherë vetëm një popull”.
Por për ta bërë këtë – nënvizon shefja e qeverisë së Londrës – ne duhet të ecim përpara me Brexit tani, duke mbështetur këtë marrëveshje. “Me përfundimin e Brexit”, thekson gjithashtu kryeministrja, qeveria pastaj do të jetë në gjendje të përqëndrohet në çështje të tilla si ekonomia, sistemi kombëtar shëndetësor dhe ndërtimi i shtëpive.
“Do të jetë një marrëveshje në interesin tonë kombëtar, që funksionon për të gjithë vendin dhe për të gjithë njerëzit tanë, pavarësisht nëse njëri ka votuar për të qëndruar apo për tu larguar”, shkruan Kryeministrja.
“Unë do të bëj fushatë me zemrën dhe shpirtin tim për të fituar atë votë”, shton ajo duke iu referuar votimit të parlamentit britanik për ratifikimin e marrëveshjes me BE-në./abcnews.al