Çështja “Becchetti”, zbulohet kërkesa me dy pika e PD-së në Kushtetuese

schedule12:32 - 25 Tetor, 2021

schedule 12:32 - 25 Tetor, 2021

“ABC” ka siguruar kërkesën që Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese për komisionin hetimor për cështjen “Becchetti”. PD ka 2 kërkesa për Gjykatën Kushtetuese;  Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit të Kuvendit për mosmiratimin e ngritjes së Komisionit Hetimor Becchetti.

PD kërkon të hetojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë që çuan në një dëm prej 120 milionë euro. Kërkesa për ngritjen e këtij komisioni u rrëzua nga shumica socialiste, por PD është e vendosur dhe për këtë arsye ka dërguar çështjen për zgjidhjen e kompetencës në Kushtetuese.

E drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor nuk mund të mohohet apo të kufizohet nëpërmjet vendimmarrjes së shumicës parlamentare. Ajo është një e drejtë kushtetuese që çon detyrimisht në ngritjen e komisionit. Duke mos e realizuar këtë detyrim kushtetues, Kuvendi në mënyrë arrogante dhe pa argumente, pengoi pakicën parlamentare në ushtrimin e një kompetence kushtetuese.

Duke ia nënshtruar votimit parlamentar ngritjen ose jo të Komisionit, si dhe duke vendosur mosmiratimin e kërkesës së 1/4 së deputetëve, praktikisht Kuvendi ka mohuar kompetencën kushtetuese të pakicës parlamentare, duke krijuar këtë mosmarrëveshje kompetence, e cila duhet të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese, duke shfuqizuar si antikushtetues edhe vendimin nr. 80/2021 të Kuvendit” shprehet PD./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!