Një zonë e tërë në Çermë të Divjakës është lënë pa mjek. Ambulanca ekziston, por të sëmurëve iu duhet të udhëtojnë 15 km larg vendbanimit qoftë për një temperaturë.
Prindërit po e dërgojnë fëmijën e vogël në spitalin e Lushnjës. Edhe pse djali është i sëmurë me temperaturë të lartë, ata do të udhëtojnë me motor nga fshati i tyre, rreth 15 km, për në qytet. Duhet të kryejnë vizitën dhe të marrin mjekimet tek një mjek pediatër.
Nëna e femijës: “Me temperaturë 40, të lartë me kollë sekrecione ftofje, e kam çuar sot në Lushnje”.
Babai i fëmijës: “S’ka as rekomandim, asgjë do shkosh në spital do pagush leke ne dore, plus hyrje, po deshe, po s’deshe mbaje në shtëpi”.
Banorët ankohen se mjeku nuk ka qenë në vendin e punës prej një viti, ndërsa ka tre muaj që ky shërbim u mungon plotësisht. Vizitat mjekësore, recetat apo dokumente të ndryshme, merren në qytet ose në ndonjë tjetër qendër shëndetësore. Ecejaket janë të mundimshme, sidomos për të sëmurët rëndë dhe për fëmijët.
“Vërdallosemi sa në Lushnjë, sa në Divjakë, sa andej, sa këtej. Kemi 3 muaj pa mjekë”.
“Që nga viti i ri e këtej nuk ka pas”.
“Në raste urgjence kap taksinë e shko në Lushnje”.
Infermierja pranon se mungesa e mjekëve është një fenomen i përhapur në mbarë vendin. Ajo i rekomandon të sëmurët të shkojnë në qendrën tjetër në Tërbuf, ose në Lushnje.
Infermierja Sanie Neziri: “E çojmë te mjeku në qendër të marrë rekomandimin atje dhe të niset për Lushnje”.
Ambulanca e Çermës së Sipërme ka të kartelizuar 2600 pacientë, ndërsa drejtohen për të marrë shërbimin mjekësor rreth 5000 banorë.
ABC News u interesua pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndetit por zyrtarë të këtij institucioni thanë se kjo është kompetencë e Ministrisë së Shëndetësisë. /abcnews.al
Gazetare e ABC News: Anila Sefa