Ceremonia mortore e Kostandinos Kacifas me parrulla antishqiptare

schedule17:21 - 8 Nëntor, 2018

schedule 17:21 - 8 Nëntor, 2018

Me thirrje nacionaliste dhe antishqiptare është përcjellë për në banesën e fundit ekstremisti grek Kostandinos Kacifas. Gjatë ceremonisë në fshatin Bularat të Gjirokastrës, nuk u shënuan incidente dhe policia ishte angazhuar për të monitoruar të gjithë territorin. Më herët në Kakavijë nuk u lejuan të hyjnë në territorin shqiptar disa shtetas grekë, që mbanin simbole antishqiptare dhe u shoqëruan në komisariat 4 të tjerë.

Me thirrje antishqiptare dhe nacionaliste në fshatin Bularat të Gjirokastrës u zhvillua ceremonia mortore  e 35 vjeçarit Kostandino Kacifas, që mbeti i vrarë gjatë një shkëmbim zjarri me forcat e RENEA-s, të cilave ai nuk iu dorëzua.

Arkivoli me trupin  e Kacifasit, i mbuluar me një flamur grek përshkoi mes përmes fshatin, nga shtëpia e tij deri sa u përcoll në banesën e fundit.

Gjatë rrugës ai u shoqërua nga një kortezh i madh me bashkëfshatarë, por dhe shtetas të ardhur nga Greqia për të marrë pjesë në këtë ceremoni. Mes tyre ishin edhe mbështetës  të Agimit të Artë.

Disa prej të pranishmëve në ceremoninë mortore të Kostandinos Kacifas bënë thirrje me përmbajtje nacionaliste dhe antishqiptare. Mes përmes fshatit Bularat shpalosën një flamur të madh grek, kishin shkruar disa parrulla nacionaliste, mes të cilave edhe Vorio Epiri është Greqi.

Persona të ndryshëm me prirje ekstremiste mbanin flamuj dhe në pankartat e tyre në gjuhën greke shkruhej “Bularati është Greqi, Kacifas jeton, na udhëhiq dhe na prij”.

Herë pas herë ata  provokuan me thirrjet e tyre, madje kërkuan edhe largimin e gazetarëve shqiptarë.

Thirrjet dhe provokimet vazhduan deri sa u mbyll ceremonia mortore. Megjithatë nuk pati incidente të mëdha.

Në ceremoni u vu re edhe pjesëmarrja e eurodeputetes së Qipros Eleni Theoharis si dhe e deputetëve shqiptarë, Vangjel Tavo  dhe Vangjel Dule. Ky i fundit në një prononcim të shkurtër për mediat kërkoi zbardhjen nga Prokuroria sa më parë të vrasjes së Kostandinos Kacifas.

Dule: “E vërteta duhet të ndriçohet deri në fund”.

Në fshat gjatë ditës nuk u vunë re uniforma të policisë shqiptare, por efektivë civile kanë qenë të pranishëm për të monitoruar situatën.

Më herët në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës 11 shtetas grekë u kthyen nga pala shqiptare pasi mbanin veshje dhe simbole antishqiptare.

Policia e Gjirokastrës mësohet se ka shoqëruar katër shtetas grekë, të cilët do të procedohen për “nxitje urrejtje mes kombeve dhe feve”.

Shtetasve grekë policia shqiptare u gjeti bluza me simbole antishqiptare, kapuça dhe sende të tjera të ndaluara.

Mëngjesin e së enjtes 10 autobusë kaluan nga Greqia në Kakavijë për të marrë pjesë në varrimin e Kacifasit.

Në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës dhe ne Bularat u shtuan masat e sigurisë, ku përveç forcave të policisë lokale, mësohet se u dërguan edhe 5 grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Kostandinos Kacifas u vra nga forcat e RENEA- s në Bularat gjatë një përplasjeje me ta, ku qëlloi me armë ndaj uniformave blu pas ceremonisë së përkujtimit të të rënëve në luftën italo-greke.

Pamjet e tij me kallashnikov në dorë në mes të fshatit duke bërë terror duken qartë.

Pas vrasjes së Kacifas ministria e jashtme greke kërkoi sqarime të mëtejshme nga Tirana zyrtare. Ndërkohë autoritetet shqiptare kanë kërkuar që ngjarja të mos përdoret për qëllime politike dhe të mos shërbejë për krijimin e tensioneve artificiale mes dy vendeve. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!